Përfundon verifikimi i nënshkrimeve në LDK për Kuvendin, Ferati: S’ka arsye për shtyrje

- Advertisement -

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka përfunduar verifikimin e nënshkrimeve të delegatëve për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, ku pritet të shqyrtohet edhe kërkesa për shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.

Sekretari i LDK-së, Ilir Ferati, ka bërë të ditur se tashmë kanë nisur përgatitjet teknike për organizimin e Kuvendit, ndërsa data e mbajtjes ende nuk është përcaktuar.

“Ka përfunduar verifikimi i nënshkrimeve. Tash po presim përgatitjen e pjesëve të tjera, të cilat janë teknike, por si sekretariat jemi duke punuar në këtë drejtim që sa më shpejt t’i japim drejtim demokratik partisë”, ka thënë Ferati.

Ai ka deklaruar se pasi Sekretariati ta njoftojë kryetarin e partisë, ai duhet ta thërrasë Kuvendin dhe se nuk ka arsye për vonesa.

“Në momentin që jemi të gatshëm e njoftojmë kryetarin dhe pastaj ai në një afat sa më të shpejtë ta bëjë ftesën për Kuvendin. Nuk ka arsye për shtyrje të Kuvendit”, ka deklaruar Ferati.

Sipas tij, edhe vetë Abdixhiku është i interesuar që ky proces të përfundojë sa më shpejt, me qëllim të krijimit të qetësisë brenda partisë.

“Edhe kryetari është i interesuar që sa më shpejt ta kryejë këtë proces, që të krijohet njëfarë paqeje brenda njerëzve të LDK-së”, ka thënë ai.

Ferati ka folur edhe për takimin ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke theksuar se në atë takim nuk është diskutuar për emra apo pozita, por për parime.

“Ne nuk kemi diskutuar me Vetëvendosjen për pozicione dhe as për emra. Në këtë takim janë diskutuar parimet të cilat duhet të respektohen tutje për të zhvilluar diskutimin në kuptim të pozicioneve”, ka thënë Ferati.

Ai ka shtuar se çështja e presidentit do të jetë pjesë e negociatave vetëm nëse arrihet pajtim për parimet.

“Një prej çështjeve duhet të jetë zgjidhja e çështjes që na ka çuar në zgjedhje, pjesa e presidentes. Kjo është çështje e negociatave”, ka deklaruar ai.

Duke folur për mundësinë që Vetëvendosje të mos e mbështesë Vjosa Osmanin për presidente, Ferati tha se kjo është çështje e negociatave ndërmjet partive.

“Është çështje e Lëvizjes Vetëvendosje, jo e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe është çështje e negociatave. Është herët për të folur për emra, jemi ende në diskutim të parimeve”, u shpreh ai për Radio Dukagjini.

Ferati tha se zhvillimet e brendshme të LDK-së janë çështje e strukturave të kësaj partie dhe se për proceset institucionale do të diskutohet pasi të përfundojë procesi i rikonfirmimit të kryetarit.

“Ato janë çështje tona të brendshme që nuk ka nevojë as Vetëvendosje dhe as ndonjë parti tjetër të merret me to. Pasi ta zgjidhim këtë çështje, pjesa tjetër e formimit dhe konstituimit të institucioneve është obligim i partisë së parë”, ka theksuar Ferati

Të ngjashme

Të fundit