Ka përfunduar intervistimi i menaxheres së rastit të Arlinda Zekajt në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, Toske Gega, para Komisionit Hetimor Parlamentar për vrasjen e saj.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, nuk ka bërë të ditur për mediat se për çfarë është pyetur Gega nga anëtarët e komisionit, pasi intervistimi është zhvilluar me dyer të mbyllura.
Rrustemi tha se, ndonëse kishte qenë në favor të hapjes së pjesës së parë të intervistimit për publikun, duhet ta respektojë vendimin e komisionit.
“Nuk është diskutim, është intervistim i dëshmitarëve. Dhe për sa kohë komisioni mori vendim që të jetë i mbyllur, edhe pse unë isha për pjesën e parë të hapur, nuk mund të them”, deklaroi Rrustemi.
Pas përfundimit të intervistimit të Gegës, para komisionit pritet të paraqitet edhe udhëheqësi i Qendrës për Punë Sociale në Pejë, Durim Kelmendi.
Ende nuk dihet nëse intervistimi i tij do të jetë i hapur për mediat.
Komisioni Hetimor Parlamentar po zhvillon intervistimet në kuadër të hetimit parlamentar lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.






