Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut Emilija Rexhepi po qëndron për një vizitë zyrtare në Hungari me ftesë të autoriteteve hungareze. Në momenti kur ajo mori fjalën para përfaqësuesve të shumë shteteve evropiane në Forumin e Demografisë, ministrja serbe Milica Durgjeviq Stamenkovski braktisi forumin duke aluduar se nuk e njeh shtetin e Kosovës.
Zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi u prit në takim pune edhe nga ministri për Çështje të Bashkimit Europian Janos Boka me të cilin bisedoi për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë dhe kërkesës që Hungaria të vazhdojë përkrahjen në procesin e integrimit europian. Zëvendëskryeministrja Rexhepi nënvizoi arritjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit, të drejtat sociale dhe në ekonomi, si dhe konfirmoi angazhimin e plotë të qeverisë për gjithpërfshirje dhe përkrahje të të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike. Më pas Rexhepi kërkoi nga ministri Boka, që Hungaria si vend udhëheqës i presidencës akuale të BE-së që të bëjë presion te vendet e tjera anëtare të BE-së që të largohen masat e BE-së të vendosura padrejtësisht dhe të cilat ndikojnë në kualitetin e jetës së qytetarëve. Po ashtu, zëvendëskryeministrja Rexhepi nënvizoi se shpreson se Hungaria do ta ofrojë përkrahjen e saj që Republika e Kosovës të avancojë në rrugëtimin e procesit drejt BE-së përmes fitimit të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Ministri për Çështje të BE-së Janos Boka tha se Hungaria është përkrahëse e madhe e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor dhe instiston edhe te vendet tjera anëtare që ky proces të realizohet sa më shpejtë, ndërsa sheh me interes të posaçëm raportet bilaterale me Republikën e Kosovës, duke vënë theksin tek ngritja e nivelit të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, shkëmbimeve tregtare, kulturore e të tjera. Zëvendëskryeministrja Rexhepi e falënderoi ministrin Boka për kontributin e Hungarisë ndër vite në sigurimin e paqes dhe stabilitetit përmes prezencës së ushtarëve në kuadër të KFOR-it si dhe për ofrimin e bursave për studentët nga Republika e Kosovës pa dallim në kuadër të platformës Hungaricum Stipendium. Zëvendëskryeministrja Rexhepi ftoi ministrin Boka për vizitë në Republikën e Kosovës për të parë për së afërti progresin e arritur dhe për të mësuar më shumë për dinamikat e përgjithshme që ndërlidhen edhe me mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë në Republikën e Kosovës. Ministri Boka pritet ta vizitojë Republikën e Kosovës në pjesën e parë të muajit dhjetor para organizimit të Samitit BE – Ballkani Perëndimor.
Zëvendës Kryeministrja Rexhepi do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e nivelit të lartë për çështje të politikave sociale dhe demografisë që mbahet në kuadër të presidencës rotative hungareze të BE-së në Budapest.