Përfaqësuesit e Ibër-Lepencit thonë se sulmi dëmtoi infrastrukturën kritike dhe rrezikoi të çonte vendin në një krizë të madhe energjetike
Përfaqësuesja e palës së dëmtuar Ibër-Lepenci, Naxhie Sadiku, në fjalën hyrëse në gjykmin ndaj të akuzuarve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në nëntor të vitit 2024, deklaroi se shpërthimi kishte dëmtuar infrastrukturën kritike dhe se ishin detyruar të bënin një zgjidhje teknike për të parandaluar dëmet tjera.
Fillimisht, Sadiku tha se e mbështet deklarimin e prokurorit Bekim Kodraliu, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ibër-Lepenci përveç se ka pasur një sfidë shumë të madhe në ditën e ngjarjes, ka pasur edhe rrezikime dhe frikë të krijuar për punëtorët e tij në terren pasi që shpërthimi ka qenë shumë i madh dhe ka dëmtuar infrastrukturën kritike me të cilën operon Ibër-Lepenci për furnizim me ujë industrial, ujësjellësat, KEK-un, Ferronikelin dhe industritë e tjera”, tha ajo.
Përfaqësuesja e Ibër-Lepencit tha se për t’i paraprirë dëmeve në pronat përreth, është dashur që të bëhet menjëherë një zgjidhje teknike.
“Përveç kësaj, është dashur të ndërmerren hapa që menjëherë të bëhet një zgjidhje teknike që të mos ketë dëme në pronat përreth dhe të bëhet zgjidhja teknike që industritë të furnizohen me ujë të pandërprerë, të kenë mundësinë që të mos ndërpriten shërbimet për qytetarët”, shtoi ajo.
Sadiku tha se kanë pësuar dëme të mëdha materiale, vlera e të cilit është potencuar edhe në aktaktuzë.
Edhe Ernest Kërçeli- drejtor i Infrastrukturër në Ibër-Lepenc, tha se Kosova ka qenë në prag të krizës së madhe energjetike dhe sanitare si pasojë e këtij sulmi.
“Vlen të potencohet se Kosova ka pasur mundësi të hyjë në krizë të madhe energjetike dhe në krizë të madhe sanitare si pasojë e mungesës së ujit për pije dhe amvisërisë”, tha ai.
Sipas Kërçelit, kanë qëndruar shumë kohë pa gjumë, derisa u sanua problemi me mungesën e energjisë.
“Ne cilësinë time si drejtor i Infrastrukturës pas një ore e 20 minutave kemi mbërri në vendngjarje. Ka pas mungesë të energjisë, nuk u ditë çka është tu ndodh, kemi ndejt pa gjumë 24 ore, 48 ore dhe një muaj ditë derisa është sanuar”, tha ai






