Cristiano Ronaldo nuk e ka fshehur dëshirën për një përballje me Lionel Messin në Kupën e Botës. Pas fitores së Portugalisë, ku ai kontribuoi me dy gola, ylli portugez u pyet për mundësinë e një dueli ndaj Argjentinës dhe rivalit të tij të madh ndër vite.
Edhe pse fillimisht e cilësoi pyetjen si jo shumë të rëndësishme për momentin, Ronaldo pranoi se një ndeshje e tillë do të ishte diçka e veçantë.
“Përballja me Leo Messin në Botëror? Kjo pyetje nuk ka shumë kuptim… por në rregull, do të përgjigjem. Do të ishte top”, deklaroi kapiteni i Portugalisë.
Megjithatë, pesë herë fituesi i Topit të Artë theksoi se fokusi i tij ishte te ndeshja që sapo kishte përfunduar dhe te ecuria e Portugalisë në turne.
“Fokusi im i plotë ishte tek sot. Ne fituam, unë kam qenë në gjendje të shënoj, vazhdojmë së bashku. Jam i lumtur për këtë”, shtoi ai.
Një përballje mes Portugalisë së Ronaldos dhe Argjentinës së Messit do të ishte një nga ndeshjet më të shumëpritura të Kupës së Botës, duke rikthyer edhe një herë rivalitetin historik mes dy prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.





