Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, në senancën plenare të Kuvendit të Kosovës, foli për kolegun e saj të partisë, Faton Peci, për të cilin tha se do të mbahet mend për transformimin që ka bërë në bujqësi dhe si një ndër ministrat më të guximshëm të Qeverisë Kurti 2.
“Faton Peci, ish-ministri I Bujqësisë kryetari i sotëm I Mitrovicës do të mbahet mend për trasnformimin rrënjësor të të gjithë zhvillimit të bujqësisë në vendin tonë, për luftimin e pa kompromis të krimit dhe korrupsionit. Do të mbahet mend si një prej ministrave më të guximshëm të Qeverisë Kurti 2. E çka flitet në këtë sallë, do të duhet të jetë në përputhje me atë që dëgjoni nga familjarët, fqinjët dhe qytetaret e Republikës sonë”, tha Gërvalla.
Kësaj deklarate i reagoj, deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu duke pretenduar se për “skandalet” e Pecit e di i gjithë vendi.
“Për skandalet e ministrit Peci e di krejt vendi. Unë për veti, me qenë në vend tëndin nuk kisha lëviz fare me mbrojtë një njeri që ka pru mish të skadum e që populli është ushqy me atë mish”, tha Haxhiu.
Gërvalla në kundërpërgjigje u shpreh se po bëjnë supozime dhe fajësime të pavërteta.
“Edhe një herë e konfirmuat që përpjekja për të hedhur baltë bazuar vetëm në fjalë, supozime, në fajësime të pavërteta. Ju asnjëherë nuk mund të jeni në vendin tim se po të ishit në vendin tim nuk do të ishit ulur aty ku jeni dhe nuk do të rrethoheshit me njerëzit që jeni rrethuar”, tha ajo.






