Musliu: E papranueshme që një qytetar të futet në Kamp sikur është në guidë turistike

- Advertisement -

Ditë më parë një influencer ndërkombëtar arriti të hynte fshehurazi në Kampin e Njësisë Speciale në Vrellë.

Deputetja e Kosovës nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, duke folur për këtë rast, tha se Inspektorati Policor i Kosovës duhet të nxjerrë para përgjegjësisë personat përgjegjës për sigurinë e kampit, e cila, siç tha ajo, u cenua rëndë.

Musliu në foltoren e Kuvendit të Kosovës tha se është e papranueshme që një person të mundë të futet në një objekt sigurie dhe të lëvizë sikur është në guidë turistike.

“Javën e kaluar në media u raportua se janë cenuar rëndë objektet vitale të sigurisë në Kosovë, fjalën e kam konkretisht për kampin e Njësisë Speciale në Vrellë të Fushë Kosovës. Ky lajm jo që është shqetësues, por duhet të ngre alarm për kujdes të shtuar dhe për përgjegjësi të plotë të personave përgjegjës. Prandaj, meqë jam njoftuar dhe zyrtarisht se Inspektorati Policor i Kosovës i ka filluar hetimet për këtë rast, dua t’i kërkoj zëshëm Inspektoratit Policor që t’i nxjerrë para përgjegjësisë personat të cilët kanë qenë përgjegjës për monitorimin apo sigurinë e këtij kampi”, u shpreh Musliu.

Ajo tha se është e papranueshme që një gazetar ose një qytetar, jo shtetas i Kosovës, të futet në këtë kamp të bëjë incizime, e të kontrollojë “si turist i ftuar ose sikur është në guidë turistike brenda kampit të sigurisë”.

Deputetja tha se kjo “është e padëgjueshme ndonjëherë në vendin tonë”.

“Për më tepër, përveçse ka bërë ato lëvizje, ka arritur që në mënyrë të qetë, pa u penguar nga askush t’i postojë në rrjetet sociale, në këtë rast në kanalin e tij në Youtube”, tha deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu

Të ngjashme

Të fundit