Penalltitë i japin fund ëndrrës evropiane të Ballkanit

- Advertisement -

Ballkani është eliminuar nga Liga e Konferencës, pasi u mposht nga Bohemians pas ekzekutimit të penalltive në ndeshjen kthyese të raundit të dytë kualifikues.

Skuadra nga Suhareka triumfoi me rezultat 3:2 pas 90 minutave në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke barazuar rezultatin e përgjithshëm në 4:4, pasi ndeshjen e parë në Irlandë e kishte humbur 2:1.

Ballkani e nisi në mënyrë ideale takimin, me Sereben që realizoi për 1:0 në minutën e 10-të. Megjithatë, mysafirët barazuan në minutën e 20-të, kur James-Taylor u tregua i saktë nga pika e bardhë. Me rezultatin 1:1 u mbyll pjesa e parë.

Në fraksionin e dytë, kampioni kosovar reagoi fuqishëm. Giovanni riktheu epërsinë në minutën e 50-të, ndërsa vetëm tetë minuta më vonë Toni Domgjoni shënoi për 3:1, duke e afruar Ballkanin drejt kualifikimit.

Megjithatë, kur gjithçka dukej se po shkonte drejt suksesit të vendasve, Hickey realizoi në minutën e 88-të për 3:2, gol që barazoi rezultatin e përgjithshëm dhe e dërgoi përballjen në vazhdime.

Në dy pjesët shtesë nuk pati gola, me të dyja skuadrat që nuk arritën të gjenin rrugën drejt rrjetës.

Fati i kualifikimit u vendos nga pika e bardhë, ku Bohemians u tregua më i saktë, duke fituar me rezultat 5:4 pas penalltive.

Në këtë mënyrë, Ballkani e mbyll aventurën evropiane në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ndërsa Bohemians siguron kalimin në fazën e ardhshme të garës.

 

Të ngjashme

Të fundit