Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, pas ndërprerjes së sotme të seancës konstituive, si pasojë e mosvotimit nga Lëvizja Vetëvendosje të kandidates së propozuar nga PDK për nënkryetare të Kuvendit, Vlora Çitaku, njoftoi se PDK nuk do të marrë më pjesë në punimet e Kuvendit.
Hamza, në një konferencë për media, paralajmëroi se PDK do ta referojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
“Prej sot, PDK nuk ka asnjë arsye me marrë pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës dhe do ta referojmë lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Jemi të sigurt që afatet kanë përfunduar më 7 gusht”, u shpreh ai.
Hamza i cilësoi veprimet e LVV-së si antishtetërore dhe në kundërshtim me interesin e qytetarëve.
“PDK ishte prezente në Kuvend me qëllim që Kuvendi të konstituohet dhe vendi të ketë institucione. Mirëpo, partia shumicë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti, nuk e kanë ndërmend t’i japin vendit institucione. Vazhdojnë me veprimet e tyre të papërgjegjshme, joinstitucionale dhe joshtetërore, jo në dobi të qytetarëve të Kosovës, duke prodhuar drama, kriza dhe situata të panjohura, me qëllim që të vazhdojnë bllokadën”, theksoi ai.
Lëvizja Vetëvendosje vendosi që votimi për nënkryetarët të mos bëhej si pako, por individualisht. Përkundër kësaj, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës votuan pro kandidatit të Vetëvendosjes për nënkryetar të Kuvendit, Ardian Gola, duke dëshmuar vullnet politik për përmbylljen e procesit dhe funksionalizimin e institucionit më të lartë ligjvënës.
Në anën tjetër, LVV e përdori procedurën e votimit individual, të propozuar nga vetë ajo, për të mos e votuar kandidaten e PDK-së për nënkryetare të Kuvendit, duke pamundësuar kështu përfundimin e seancës konstituive.
PDK vlerëson se zhvillimet e sotme dëshmuan edhe një herë se pengesa për konstituimin e Kuvendit qëndron te kalkulimet politike të Lëvizjes Vetëvendosje.
Partia Demokratike e Kosovës rithekson se do të vazhdojë ta mbrojë rendin kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve, ndërsa për situatën e krijuar do të kërkojë interpretim dhe zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese.
Kuvendi nuk mund të mbahet peng nga skemat procedurale të një partie.






