PDK: 36 vjet nga Kushtetuta e Kaçanikut, sot po sfidohet rendi kushtetues

- Advertisement -

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka përkujtuar 36-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në Kaçanik, duke e cilësuar atë si një manifestim të guximit dhe vendosmërisë së popullit për Kosovën Republikë.

Në një reagim të publikuar në “Facebook”, PDK-ja ka theksuar se Kushtetuta e Kaçanikut, përtej një akti juridik, përcaktonte bazat e shtetësisë së Kosovës dhe pasqyronte unifikimin qytetar kundër represionit dhe diskriminimit në rrethanat e atëhershme.

“Kushtetuta e Kaçanikut përcaktonte bazat e shtetësisë së Kosovës dhe pasqyronte unifikimin qytetar kundër represionit dhe diskriminimit në rrethanat e atëhershme”, është thënë në reagimin e PDK-së.

PDK-ja ka ngritur kritika edhe për zhvillimet aktuale, duke vlerësuar se rendi kushtetues në Kosovën e pavarur dhe sovrane po sfidohet, ndërsa shkelja e vazhdueshme e Kushtetutës, sipas saj, po tentohet të bëhet normë.

“Paradoksalisht, sot në Republikën tonë të pavarur dhe sovrane, e cila është krijuar me shumë mund, përpjekje e sakrifica të brezave të tërë, po sfidohet rendi kushtetues dhe shkelja e vazhdueshme e Kushtetutës po tentohet të bëhet normë”, është thënë në reagimin e PDK-së.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka thënë se, si parti shtetformuese dhe shtetndërtuese, mbetet e angazhuar për rikthimin e vendit në binarët e ligjshmërisë.

Më tutje, PDK-ja ka shprehur nderim për delegatët e Kaçanikut dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për Kosovën shtet.

“Nderim i përjetshëm për delegatët e Kaçanikut, si dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për Kosovën shtet”, është thënë në reagimin e PDK-së.

Të ngjashme

Të fundit