Ditën e djeshme, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka njoftuar se, ka vendosur për refuzimin e pesë ankesave të deponuara lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit.
Pjesë e këtyre ankesave, kanë qenë ato të Bekim Haxhiut, Qëndrim Kryeziut nga Partia Demokratike e Kosovës, NDS-së së Emilija Rexhepit dhe Listës Serbe.
Rreth kësaj, Gazeta Express, ka dërguar pyetje në Gjykatën Supreme, për të kuptuar se nëse kjo gjykatë ka pranuar ndonjë ankesë lidhur me vendimin e PZAP’së, nga ku është bërë e ditur se deri më tani s’është bërë një gjë e tillë.
‘’Pas konfirmimit nga Zyra për Menaxhimin e Lëndëve, ju njoftojmë se deri më tani nuk është pranuar asnjë ankesë ndaj vendimeve të PZAP-së pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit’’, thuhet nga Supremja.
Ndryshe, afati për të iu drejtuar Gjykatës lidhur me çështjen në fjalë, është deri nesër.
Express, ka kontaktuar edhe me Bekim Haxhiun nga PDK. I pyetur se a do i drejtohet Supremes me ankesë, Haxhiu, në thënë shkurt ‘’po patjetër’’.
Sa i përket certifikimit të rezultateve zgjedhore të 7 qershorit, për Express, nga KQZ kanë thënë se diçka e tillë do të bëhet pas përfundimit të këtyre procedurave.






