Pas një pritjeje të gjatë, janë rivarrosur mbetjet mortore të dëshmorit Hajdar Pepaj, i cili për një kohë të gjatë ishte pjesë e Listës së Personave të Zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Ceremonia e rivarrimit u mbajt në praninë e familjarëve, bashkëluftëtarëve, qytetarëve dhe përfaqësuesve institucionalë, të cilët nderuan jetën dhe sakrificën e tij për lirinë e vendit.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se kthimi i dëshmorit në vendlindje përbën një moment të dhimbshëm, por njëkohësisht edhe një lehtësim për familjen që për dekada ka jetuar me mungesën e informacionit për fatin e tij.
Ai theksoi se sakrifica e dëshmorëve dhe e të pagjeturve mbetet pjesë e pandashme e historisë së Kosovës, duke shtuar se institucionet dhe shoqëria duhet të vazhdojnë përpjekjet për zbardhjen e fatit të të gjithë personave që ende konsiderohen të zhdukur.






