4.7 C
New York
Friday, November 29, 2024

Buy now

Pas Bajqinovcit edhe “Guxo” i reagon Muhaxherit: Deklarata antishqiptare

- Advertisement -

Muhaxheri kishte thënë se rastet e konfiskimeve të armëve atje mund të jenë të montuara.

Edhe pse ka kaluar goxha kohë nga ajo deklaratë, siç duket oponentët e pushtetit, tek tash e kanë parë.

Pak më herët gjatë ditës, deputeti Bajqinvci e dënoi deklaratën e Gazmend Muhaxherit, e para pak çastesh këtë e bëri edhe partia “Guxo”.

E plotë:

Reagim i partisë Guxo pas një vargu deklaratash skandaloze të Gazmend Muhaxherit

Brenda një harku të shkurtër kohor Gazmend Muhaxheri, nënkryetar i LDK dhe kryetar i Komunës së Pejës, ka bërë dy deklarata jo vetëm skandaloze, por edhe jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën, duke lënduar rëndë ndjenjat e secilit qytetar të Kosovës, i cili Kosovën e ndien shtet të vetin dhe i cili është angazhuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës përmes rezistencës civile apo përmes luftës.

Para disa muajsh Muhaxheri pati deklaruar se “Qeveria Kurti po i diskriminon serbët e veriut të Kosovës sikur që Millosheviqi bënte me shqiptarët e Kosovës në vitet e ‘90”. Kjo deklaratë tij skandaloze, e dëmshme dhe tepër e rrezikshme për Kosovën kaloi pa u vënë re dhe në heshtje nga mediat publike dhe nga subjektet politike të Kosovës. Madje nuk u kundërshtua, ashtu si e meriton, as nga organet shtetërore të Kosovës.

Për më tepër partia e tij, LDK, këtë e kaloi në heshtje. Kjo heshtje e LDK, për këtë deklaratë të papranueshme të nënkryetarit të vet, s’ka se si të lexohet ndryshe vetëm se si tumirje e qëndrimeve të Muhaxherit, të cilat janë në kundërshtim të plotë me të vërtetën, bien ndesh me ligjet e vendit dhe me përcaktimet politike dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Qëndrimet e tilla bien ndesh edhe me të gjitha qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare, e cila për shkak të krimeve gjenocidale të Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë, ndërmori fushatën e bombardimeve të caqeve ushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe Serbi, gjë që çoi në çlirimin përfundimtar dhe më pas edhe në pavarësinë e Kosovës.

Deklarata që tash e bëri sërish “super Gazi” se “Policia dhe Qeveria e Kosovës mund t’u kenë montuar armë kriminelëve serbë për të krijuar alibinë për ushtrim të dhunës ndaj tyre”, është në përputhje të plotë me deklaratat e policisë serbe të viteve ’90, kur ata i vrisnin civilët shqiptarë dhe u montonin në dorë ose në shtëpi arsenal armësh për të arsyetuar dhunën dhe vrasjet e tyre.

Këto dhe deklarata të tjera të Gazmend Muhaxherit shtrembërojnë të vërtetat historike, mohojnë krimet serbe në Kosovë dhe prandaj cenojnë rëndë sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës. Ato duhet të jenë objekt i trajtimit nga organet e drejtësisë.

Partia GUXO i dënon ashpër këto qëndrime johistorike, antishqiptare dhe kundërshtetërore të Gazmend Muhaxherit, me të cilat ai dhe bashkëmendimtarët e tij barazojnë ish pushtetin okupator e gjakatar serb të Millosheviqit në Kosovë me veprimet ligjore të organeve të shtetit të Kosovës ndaj kriminelëve dhe shkelësve të ligjit në Kosovë.

Partia GUXO ka humbur çdo lloj shprese që në strukturën drejtuese të LDK-së të ketë mbetur diçka sado e vogël nga ideja burimore e LDK-së për Liri, Pavarësi dhe Demokraci të Kosovës. Distancimi nga LDK-ja e dikurshme shprehet më së qarti në “Rrugën e Re” të proklamuar.

Mirëpo Partia GUXO pret nga anëtarësia e LDK-së, e atyre që ende nuk e kanë humbur besimin në ato tri shkronja, të reagojë ashpër ndaj këtyre qëndrimeve të vazhdueshme antikombëtare dhe sulmeve ndaj vet shtetit të Kosovës dhe themeleve të tij të Gazmend Muhaxherit, nënkryetar i LDK-së dhe kryetar i komunës së Pejës si dhe miratimit në heshtje të tyre nga lidershipi i LDK-së.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit