Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ritheksoi angazhimin e Gjermanisë ndaj NATO-s dhe partneritetit transatlantik, në një kohë tensionesh me Uashingtonin pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për reduktimin e pranisë ushtarake amerikane në Evropë.
Gjatë një vizite të trupave ushtarake në qytetin e Mynsterit kancelari Merz deklaroi se Gjermania vazhdon koordinimin e ngushtë me aleatët, veçanërisht me SHBA-në, duke theksuar se “busulla” e Berlinit vazhdon të jetë një NATO e fortë dhe një partneritet i besueshëm transatlantik.
“Për të gjitha këto çështje, ne mbajmë kontakt të ngushtë dhe të besueshëm me partnerët tanë, duke përfshirë veçanërisht ata në Uashington. Ne e bëjmë këtë për interesin e përbashkët transatlantik. Ne e bëjmë këtë me respekt të ndërsjellë dhe ndarje të drejtë të barrës. Dhe duke vepruar kështu, ne po ndjekim një busull të qartë, veçanërisht gjatë kësaj faze të trazuar. Kjo busull mbetet e fokusuar tek një NATO e fortë dhe një partneritet i besueshëm transatlantik”, deklaroi Merz.
Komentet e kancelarit Merz erdhën vetëm disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se SHBA po shqyrton një reduktim të mundshëm të trupave amerikane në Gjermani. Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se një vendim i tillë mund të merret së shpejti.
Njoftimi erdhi pas kritikave të ashpra të Trump ndaj Merz, pasi kancelari gjerman kishte shprehur rezerva lidhur me ofensivën amerikane kundër Iranit. “Ai nuk ka asnjë ide se për çfarë flet”, shkroi Trump për Merz, duke shtuar se “nuk është çudi që Gjermania po ecën kaq keq, si ekonomikisht ashtu edhe në aspekte të tjera”.
Sipas të dhënave të ushtrisë amerikane aktualisht në Evropë janë të dislokuar rreth 86 mijë amerikanë dhe rreth 39 mijë syresh ndodhen në Gjermani. Numri i ushtarëve të dislokuar ndryshon rregullisht për shkak të rotacioneve dhe stërvitjeve ushtarake.






