Eisenkot dhe Golan arrijnë marrëveshje koalicioni për qeverinë e re në Izrael, Demokratët marrin katër ministri

- Advertisement -
Partia Yashar e Gadi Eisenkot dhe partia Demokratët e Yair Golan kanë arritur një marrëveshje koalicioni, sipas së cilës partia e majtë do të marrë drejtimin e katër ministrive në qeverinë e ardhshme izraelite.

Lajmi është bërë i ditur përmes një deklarate të përbashkët të dy forcave politike, ndërsa më pas Demokratët kanë zbardhur edhe detajet e marrëveshjes, raporton Times of Israel.

Njoftimi vjen vetëm disa orë pasi Yashar bëri të ditur rifillimin e negociatave për koalicionin me partinë e Golanit. Ky i fundit kishte pezulluar bisedimet të martën, në shenjë kundërshtimi ndaj negociatave që Yashar po zhvillonte me partinë Likud të kryeministrit Benjamin Netanyahu për krijimin e një qeverie të mundshme të unitetit kombëtar.

Sipas marrëveshjes, Demokratët do të marrin përgjegjësinë për katër portofole ministrore, Sigurinë Kombëtare, me kompetenca të zgjeruara, Punën dhe Mirëqenien Sociale, Komunikacionin, si dhe Kulturën dhe Sportin. Ky i fundit do të përfshijë edhe krijimin e një drejtorie të re për demokracinë.

Partia do të mbikëqyrë gjithashtu Ministrinë e Barazisë Sociale, e cila pritet të bashkohet me një prej dikastereve të tjera, me shumë gjasë me atë të Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Megjithatë, Demokratët nuk do të marrin drejtimin e Ministrisë së Arsimit, pavarësisht raportimeve të mëparshme në mediat hebraike, sipas të cilave ky dikaster mund t’u besohej atyre. Po ashtu, partia nuk do të marrë as Ministrinë e Drejtësisë, për të cilën kishte shprehur interes, dhe që pritet t’i besohet partisë Yisrael Beytenu të Avigdor Liberman ose të mbetet nën drejtimin e Yashar.

Në deklaratën e saj, partia e Yair Golan pranoi se kishte kërkuar portofolin e Drejtësisë, por theksoi se angazhimi për krijimin e një qeverie ndryshimi dhe përgjegjësie kombëtare kërkonte arritjen e shpejtë të marrëveshjes dhe gatishmëri për kompromis.

Marrëveshja parashikon gjithashtu angazhimin për shfuqizimin e plotë të reformës në drejtësi, mbrojtjen e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe arritjen e rezultateve të rëndësishme për shoqërinë izraelite, demokracinë dhe komunitetin arab në Izrael.

“Me këtë po hapim rrugën për t’i dhënë fund qeverisë së Netanyahut dhe për të shpëtuar demokracinë izraelite”, thuhet në deklaratën e partisë Demokratët.

Në kuadër të marrëveshjes, kjo forcë politike do të drejtojë gjithashtu Komisionin e Kushtetutës, Ligjeve dhe Drejtësisë në Knesset (Parlamenti izraelit), do të ketë një përfaqësues në Komitetin për Përzgjedhjen e Gjyqtarëve dhe do të marrë edhe postin e ministrit përgjegjës për marrëdhëniet mes qeverisë dhe parlamentit.

Palët po punojnë për finalizimin e detajeve të mbetura përpara nënshkrimit zyrtar të marrëveshjes. /Panorama/

Të ngjashme

Të fundit