“Para komandantit ishte studenti” – profesori rrëfen rrugëtimin e ish-studentit të tij, Fatmir Balajt

- Advertisement -

Profesori Fatmir Shatri ka shkruar për kapitenin e Policisë së Kosovës, Fatmir Balaj, të cilin e ka njohur si student të Fakultetit të Ndërtimtarisë në vitin 1996.

Shatri ka treguar se Balaj në atë kohë ndiqte kursin e tij privat të matematikës, ndërsa sot, rreth tri dekada më vonë, është zyrtar policor me përvojë dhe drejtues i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës.

“Ka njerëz që i takon në një moment të jetës dhe, pas shumë vitesh, emri i tyre rikthehet në kujtesë me një kuptim krejt tjetër. Kështu më ndodh me Fatmir Balajn”, ka shkruar Shatri.

Ai ka rrëfyer rrugëtimin e Balajt nga koha kur ishte student, duke përmendur edhe përvojën e tij si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe angazhimin në Policinë e Kosovës pas vitit 1999.

Shatri ka shkruar edhe për angazhimin e Balajt në protesta të tensionuara, operacione në veri të Kosovës, periudha të barrikadave dhe aksione kundër lokacioneve të dyshuara për kontrabandë.

“Një episod i dokumentuar nga Policia e Kosovës tregon edhe një dimension tjetër të tij. Në një rast ku një qytetar kërcënonte të hidhej nga kati i tetë i një ndërtese, Balaj mori pjesë në negociatat që përfunduan me shpëtimin e jetës së tij”, ka shkruar ai.

Në fund, profesori Shatri ka theksuar lidhjen e veçantë që ka me ish-studentin e tij.

“Por për mua mbetet diçka që koha nuk e ndryshon, pra para komandantit ishte studenti”, shkruan Shatri.

“Një uniformë tregon funksionin. Një gradë tregon pozitën. Por kujtesa e mësuesit ruan njeriun. E kam njohur Fatmir Balajn kur mësonte të zgjidhte problemet e matematikës,por jeta më vonë e vuri përballë problemeve shumë më të mëdha”, ka përfunduar ai.

Të ngjashme

Të fundit