11.4 C
New York
Sunday, April 14, 2024

Buy now

Paga të dyfishta e kontrata fiktive: Ku shkoi buxheti i Kosovës për komunat serbe?

- Advertisement -

Dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë kanë pranuar, ndër vite, fonde nga buxheti i Kosovës për paga të punëtorëve në sistemin arsimor dhe shëndetësor. Megjithatë, këta dy sektorë në këto komuna punojnë kryesisht nën sistemin e Serbisë dhe pranojnë paga edhe nga buxheti i këtij vendi. REL-i ka gjetur se, në disa raste, buxheti i Kosovës i ndarë për ta, është shpenzuar në forma të dyshimta.

V.J., qytetar serb i komunës së Leposaviqit – pjesa veriore e Kosovës – ka pranuar dy paga si punëtor i një shkolle në këtë komunë për së paku dhjetë vjet, deri në vitin 2018.

Në dhjetë komuna të Kosovës, që banohen në shumicë nga serbët, përfshirë Leposaviqin, sistemi arsimor punon sipas planprogramit të Serbisë dhe pranon fonde drejtpërdrejt nga buxheti i Serbisë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, V.J. – identiteti i plotë i të cilit është i njohur për redaksinë – tregon se në vitin 2017 ka marrë një kontratë me kohë të pacaktuar nga komuna, sipas ligjeve të Kosovës, edhe pse ka pasur një kontratë aktive me sistemin serb.

“Edhe para asaj kontrate, kemi marrë para [paga nga buxheti i Kosovës]… Atëherë kemi marrë para pa asnjë kontratë. Të gjithë punëtorët [në sistemin serb] kanë marrë para pa kontratë dhe pastaj i kemi marrë kontratat [nga Kosova]”, thotë V.J.

Në shkurt të vitit 2018, shton ai, pushteti i ri lokal në Lepsoaviq, i kryesuar atëkohë nga Zoran Todiq i Listës Serbe, ua ka ndaluar të ardhurat nga buxheti i Kosovës, pa ndonjë arsyetim, sipas tij.

Në institucionet serbe të arsimit në Kosovë, të cilat funksionojnë që nga paslufta më 1999, punëtorët, përveç pagës bazë, marrin edhe një shtesë nga shteti serb – që nënkupton se të ardhurat e tyre sillen nga 900 deri në 1.300 euro në muaj.

Paga e mësimdhënësve në sistemin e Kosovës, ndërkaq, është nga 580 deri mbi 600 euro.
V.J. thotë se nuk ka marrë kurrë ndonjë vendim për ndërprerje të kontratës me sistemin e Kosovës.

“Ajo pagë [nga buxheti i Kosovës] u është shpërndarë më pas disa njerëzve të partisë [Lista Serbe], që nuk kanë punuar kurrë, por i kanë marrë rrogat”, thotë V.J., pa specifikuar se kush saktësisht paguhet me atë pagë.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.

Kontrata e V.J, si punëtor i arsimit në Leposaviq.
Kontrata e V.J, si punëtor i arsimit në Leposaviq.
Por, për këtë çështje, V.J. thotë se ka ngritur padi në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në fund të vitit 2020.

Sipas dokumenteve që ka siguruar REL-i, përmes kësaj padie ai ka kërkuar rikthim retroaktiv të pagave, që kapin vlerën e rreth 11 mijë eurove deri në kohën e padisë.

Sipas avokatit mbrojtës të V.J., padia e tij nuk është shqyrtuar ende në Gjykatën e Mitrovicës, dega në Leposaviq – siç duket për shkak të mungesë së stafit.

Punonjësit serbë të institucioneve të Kosovës në veri, përfshirë gjykatat, kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, për shkak të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe me targa të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje të kontaktojë ish-kryetarin e Leposaviqit, Zoran Todiq, në lidhje me ndërprerjen e pagesave për punonjësit e arsimit, por, deri në publikimin e këtij artikulli, ai nuk është përgjigjur.

Todiq, i cili po ashtu ka dhënë dorëheqje në vitin 2022, është edhe kryetar i Autoritetit të Përkohshëm Komunal të Leposaviqit, i cili punon nën sistemin serb.

Deri në dorëheqje, ai ka marrë dy paga, një nga buxheti i Kosovës dhe një nga Serbia.

Numri i saktë i punëtorëve arsimorë në Leposaviq nuk është publik.

As në publikimet vjetore të statistikave të arsimit, Ministria e Arsimit e Kosovës thotë se nuk i ka të dhënat statistikore për arsimin e komunitetit serb në Kosovë.

Megjithatë Kosova, çdo vit, ndan buxhet për të 38 komunat e Kosovës, përfshirë për paga dhe shtesa në arsim dhe shëndetësi.

E kontaktuar nga REL-i, Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjen nëse e di apo ka monitoruar se si shpenzohet ky buxhet.

As Komuna e Leposaviqit, që tani udhëhiqet nga kryetari shqiptar, Lulzim Hetemi, nuk ka mundur të japë përgjigje se në çfarë mënyre shpenzohet ky buxhet.

Në një vizitë që REL-i bëri në këtë komunë më 15 shkurt, pa se në një zyrë të vogël të objektit disakatësh të komunës, ishin renditur dhjetëra dokumente komunale, të ndara në dy vitrina.

Njëra nga vitrinat mbante dokumente të komunës që punonte me ligjet e Kosovës, e tjetra dokumente nga komuna paralele që kontrollohet nga Serbia.

Të dyja këto institucione, para vitit 2022, punonin nga i njëjti objekt.

Hetemi tha se nuk ka informacione se si mund të jetë harxhuar buxheti paraprak i komunës.

“Ato [para] nuk e dimë se ku kanë shkuar, sepse nuk kemi qenë kompetentë për t’i shikuar dokumentet. Menjëherë e kam bërë një thirrje që të vijë [policia] e krimeve ekonomike. Që dy muaj e gjysmë janë duke hetuar… janë duke shfletuar dokumentacionin se ku dhe nga kanë shkuar këto para”, tha Hetemi për Radion Evropa e Lirë.

Policia e Kosovës konfirmoi për REL-in se ka nisur hetime “rreth keqpërdorimeve në Komunën e Leposaviqit” dhe se është në fazën e mbledhjes së dëshmive.

“Janë sekuestruar disa dosje”, tha policia.

Komuna konfirmoi se, aktualisht, janë rreth dhjetë persona të punësuar në sistemin arsimor në komunë, nga komuniteti shqiptar, që paguhen nga buxheti i saj.

Hetemi tha se po bëhen përpjekje që stafi i shkollave në gjuhën serbe, të integrohet në institucionet komunale të Kosovës.

“Nëse ata nuk hyjnë në sistemin tonë të komunës, ne ato para [për paga dhe mëditje] do t’i shfrytëzojmë në mënyra të ndryshme. Për shembull, përmes asamblesë, do t’i përdorim diku tjetër”, tha ai.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit