Përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me fokus te çështjet që preokupojnë veteranët dhe zhvillimet aktuale që lidhen me ta.
Takimi u zhvillua nën udhëheqjen e kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, i cili së bashku me bashkëpunëtorët e tij priti ambasadorin britanik.
Sipas njoftimit të OVL-UÇK-së, gjatë takimit u diskutua për çështjet dhe shqetësimet kryesore të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe për zhvillimet e fundit që lidhen me pozitën dhe të drejtat e tyre.
Në takim u theksua gjithashtu rëndësia e ruajtjes dhe forcimit të miqësisë dhe partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Përfaqësuesit e OVL-UÇK-së vlerësuan mbështetje dhe kontributin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, duke nënvizuar rëndësinë e raporteve të mira ndërmjet dy vendeve.
“Takime të tilla janë të rëndësishme për të përcjellë drejtpërdrejt zërin e veteranëve tanë te miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës”, thuhet në njoftim.






