Hamza konfirmon pjesëmarrjen në seancën konstituive: Presim që kjo të mos jetë një kalkulim

- Advertisement -

 

Hamza, në një konferencë për media pas mbledhjes së përbashkët të kryesisë dhe GP të PDK-së, tha se është mëse e rëndësishme që më 16 shtator kur do të shpallet verdikti final nga Dhomat e Specializuara në Hagë, për ish-krerët e UCK-së, Kuvendi të jetë i konstituuar.

 

“Është një datë e rëndësishme sikurse data e lirisë dhe pavarësisë të Kosovës. Dhe të gjitha veprimet që do t’i ndërmarrim këto ditë ndërlidhen me datën 16 shtator. Ne jemi të bindur që në këtë kohë, Kosova ka nevojë që të ketë Kuvend të konstituuar. Ne presim që të festojmë në Kosovë, presim që ata të kthehen”, theksoi kryetari i PDK-së.

 

Hamza shtoi se PDK e përkrahë dhe do të marrë pjesë në Marshin për Liri, të organizuar nga platforma Liria Ka Emër, më 12 shtator.

 

“Për PDK-në janë dy data tepër të rëndësishme: 12 shtator dhe 16 shtator. Më 12 shtator platforma Liria Ka Emër ka thirrë një marsh që i tejkalon përcaktimet politike, sepse në Hagë po gjykohen njerëzit, ushtarët e UÇK-së, jo politikanët. Lufta e UÇK-së, e popullit të Kosovës ka qenë luftë e drejtë, luftë e imponuar, luftë për liri dhe pavarësi. Ata po paguajnë një kosto personale dhe familjare me qëllim që edhe një herë ta dëshmojnë se kjo luftë ka qenë e pastër, e drejtë dhe e imponuar”, tha ai.

 

Tutje, ai bëri thirrje që më 9 shtator të ndërpriten lojërat politike dhe të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

 

“Kuvendi i Kosovës mund edhe të mos konstituohet, mund të bëhen veprime dhe lojëra tjera politike dhe mund të prolongohet kjo çështje edhe më tej. PDK do të jetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Vazhdimisht kemi kërkuar, kemi konstatuar me të drejtë, e kemi faktuar që ka shkelje të Kushtetutës, të Rregullores së Punës së Kuvendit, ka shkelje të vendimit të Gjykatës Supreme. Edhe pse është shkelur afati kushtetues, ne kemi insistuar që të konstituohet Kuvendi për të ndërmarrë veprime tjera,”, tha Hamza.

 

Për një muaj rresht, PDK ka bërë thirrje që të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, si dhe të rikthehet rendi kushtetues dhe institucional në vend.

Të ngjashme

Të fundit