OVL-UÇK reagon ndaj Prokurorisë në Hagë: Po tenton të diskreditojë dëshmitarët ndërkombëtarë të luftës

- Advertisement -

Në reagimin e saj, OVL-UÇK thotë se etiketimi i figurave ndërkombëtare si gjenerali i NATO-s, Wesley Clark dhe ish-zëvendësi amerikan James Rubin, si të njëanshëm apo të pabesueshëm, “e nxjerr Prokurorinë nga argumentimi ligjor dhe e zhyt në armiqësi politike”.

Sipas OVL-UÇK-së, dëshmitarët ndërkombëtarë nuk kanë “trilluar histori” dhe nuk i kanë shërbyer ndonjë agjende personale, por kanë deklaruar atë që, sipas tyre, “e pa e gjithë bota”, se UÇK-ja zhvilloi një luftë të drejtë kundër shtypjes jugosllave.

“Të sulmosh ata që i qëndruan pranë Kosovës në orën e saj vendimtare, do të thotë të sulmosh vetë historinë që e bëri të mundur lirinë”, thuhet në reagim.

OVL-UÇK vlerëson se qasja e Prokurorisë Speciale tregon “panik përballë fakteve” dhe shton se asnjë institucion nuk ka të drejtë të “përqeshë dëshmitë e ndershme”, vetëm pse ato, sipas tyre, rrëzojnë akuzat.

Në fund, organizata kërkon nga Gjykata që t’i trajtojë këto veprime “me përbuzjen që meritojnë”, duke u bazuar në prova dhe jo në “mëri politike”.

“Historia e kësaj lufte u shkrua me gjak. Arroganca institucionale nuk do të mund ta përmbysë”, përfundon reagimi i OVL-UÇK-së.

 

Të ngjashme

Të fundit