18.1 C
New York
Sunday, September 8, 2024

Buy now

Osmani shpërfaq sërish në publik mospajtimet me Kurtin – Të gjitha herat kur liderët shtetëror treguan ftohjen e raporteve mes vete

- Advertisement -

Mospajtimet dhe moskoordinimi ndërmejt presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, po vazhdojnë të shpërfaqen çdo ditë e më shumë.

Edhe të premten  presidentja Osmani nga Drenasi e vuri në pah moskoordinimin ndërmejt saj dhe Kurtit.

Osmani është pyetur edhe rreth propozimit të kryeministrit Albin Kurti, që emisari sllovak, Miroslav Lajcak, duhet ta dërgojë në Komision të Venecias Draftin e BE për Asociacionin.

Ajo tha se për një ide të tillë të Kurtit ende s’është e njoftuar formalisht dhe tek pasi të ndodh një gjë e tillë, Osmani ka thënë se do ta shqyrtojë dhe më pas edhe ta japë qëndrimin e saj.

“Nuk kam parë një ide të tillë formalisht. Kur prezantohet tek Presidentja, e shqyrtoj dhe pastaj iu njoftoj.Idetë që prezantohen në media, s’mund t’i shoh si formalisht të prezantuara.Sipas Kushtetutës, përcaktimi i politikës së jashtme bëhet nga presidentja. Kurdo që prezantohet një ide e tillë e shqyrtoj”, ka thënë Osmani.

Ajo tutje ka shtuar se është me rëndësi që çdo ide të analizohet në kontekst të interesit të Kosovës dhe nëse vlerësohet që e ndihmon Kosovën, s’ka arsye që të mos përkrahet.

“Është me rëndësi që çdo ide të analizohet në kontekst të interesave të Kosovës dhe qytetarëve. Nëse vlerësohet që e ndihmon Kosovën, s’ka arsye që të mos përkrahet. Duhet të prisni edhe pak derisa ta diskutojmë në mënyrë formale këtë propozim”, ka thënë presidentja.

Vjosa Osmani edhe ditë më parë shpërtheu dhe i qiti në sipërfaqe mospajtimet me qeverisjen e Kurtit.

Osmani u shfaq shumë e mllefosur me qeveritarët. Krejt kjo lidhej me zotimin për formimin e Asociacionit dhe dërgimin e draftit në Kushtetuese.

Osmani e mërzitur u shfaq edhe me ish-bashkëpunëtoren e saj të ngushtë, kryediplomaten Donika Gërvalla – Schwarz.

Osmani ka lënë fillimisht të kuptohet se Asociacioni u nxorr nga pakoja e marrëveshjeve të arritura gjatë vitit të kaluar në kuadër të dialogut me Serbinë.

“…Që nuk mund të nxirret çështja e Asociacionit nga marrëveshja e tërësishme, që nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova, por duhet të ketë zbatim paralel, që nuk mund të ndërlidhet procesi i dialogut me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, tha ajo.

Osmani për EkonomiaOnline ka shtuar se tashmë të gjitha kanë rënë në ujë me ofertën që u bë një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të KiE-së.

“Të gjitha kanë rënë në ujë me ofertën që është bërë atë ditë, sepse ajo ofertë nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që e kanë nënshkruar të tre liderët, prandaj është domosdoshmëri kushtetuese në përputhje me nenin 84, që qeveria ta koordinojë një veprim të tillë me udhëheqësen e politikës së jashtme që sipas kushtetutës sonë gjithnjë ka qenë dhe mbetet institucioni i Presidencës. E të thuhet që kjo në çfarëdo mënyre paska pas të bëjë me largësinë për mua është diçka që nuk dua ta besojë që dikush e thotë, sepse nuk ka fare të bëjë me realitetin dhe tregon që në njëfarë mënyrë po tentohet që ky moskoordinim për një çështje kaq kapitale të lihet si faj të Presidenca që për mua është vërtetë edhe shumë qesharake, sepse të gjitha institucionet e dinë shumë mirë që presidentja e vendit ka qenë 24 orë të çdo ditë të javës në komunikim me të githë për tema të rëndësisë kapitale, sidomos në fushën e politikës së jashtme që janë brenda mandatit të presidentes. Kjo absolutisht për mua është befasi tepër e madhe se kushdo qoftë ta thotë një gjë të tillë mund të ketë qenë ndonjë dezinformatë që është bartur te kryetari i Kuvendit, sepse me të si kryetar i Kuvendit kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Asnjëherë nuk ndodh që mos të koordinohemi për tema të rëndësishme. Edhe kur jemi jashtë vendit i kemi telefonat, ka mënyra të sigurta të komunikimit, të cilat i posedojmë dhe është edhe çështja tjetër”, u shpreh Osmani.

Edhe para pak ditësh, Osmani nëpërmjet këshilltarit të saj Bekim Kupina tregoi se është e pakënaqur me veprimet e Qeverisë së Albin Kurtit.

Ky reagim erdhi pasi Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, ditë më parë njoftoi se Qeveria ia ka dërguar një letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se Kosova do ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin dhe priste që  Kosova të pranohej si anëtare më e re e KiE-së.

Megjithëse, Kosova në Komitetin e Ministrave nuk ishte fare në agjendë opinioni pozitiv i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Kjo letër shkaktoi shumë zhurmë në publik. Qeveria nuk u konsultua as me presidenten Osmani për letrën që ia dërgoi KiE-së, ku e njoftoi për qëllimet e Qeverisë për ta hartuar dhe dërguar në Kushtetuese një draft-statut për Asociacionin.

Kështu kishte thënë këshilltari i presidentes Bekim Kupina, derisa theksoi se Osmani “nuk e përkrah këtë letër”.

“Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës… Kjo letër nuk është e tillë”, kishte thënë Kupina.

Edhe muaj më parë, Osmani dhe Kurti kanë debatuar në publik gjatë një mbledhje të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.

Nga ajo që kapën kamerat, dyshja u panë të debatonin nën tension.

Osmani e Kurti kanë pasur mendime të ndryshme edhe për raportet e Qeverisë së Kosovës me aleatët ndërkombëtarë.

Ftohja e raporteve mes liderëve shtetërorë është vërejtur edhe në takimet me ndërkombëtarët, sidomos me përfaqësuesit më të lartë amerikanë. Zëvendës-ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të SHBA-së, Gabriel Escobar.

Në muajin mars, Escobari zhvilloi vizitë zyrtare dyditore në Kosovë. Ai u shfaq shumë i afërt me presidenten Vjosa Osmani. Me të, mbajti konferencën e përbashkët teksa Osmanin e quajti “gardiane të marrëdhënieve Kosovë-SHBA”.

Qasjen që kishte me Osmanin, Escobari nuk e pati me kryeministrin Kurti. Ani pse qëndroi dy orë në takim, në fund zëvendësndihmës Sekretari i SHBA-së doli në konferencë vetëm me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier. /Reporteri/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit