Kandidatja e LDK-së për presidente Vjosa Osmani gjatë interistes së saj në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se ka bërë thirrje për bashkëpunim politik me Albin Kurti, por sipas saj, nga pala tjetër nuk ka pasur gatishmëri për të vazhduar këtë frymë.
Sipas saj, si kundërpergjigje ka marrë sulme dhe etiketime të rënda, të cilat, sipas saj, kanë degraduar debatin politik.
“Thirrja ime është për bashkëpunim. Sa do ta gjejmë atë nga pala tjetër nuk dihet, sepse deri tani nuk ka pasur shenja. Kemi parë vetëm njollosje të përmasave çnjerëzore dhe krahasime me kafshë, një deformim total të debatit politik”, deklaroi Osmani.
Ajo tha se shumica e sulmeve kanë qenë të drejtuara ndaj saj, duke shtuar se janë pikërisht VV-ja që kanë vendosur të mos e mbështesin për një mandat tjetër.
“Unë kam dashur që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe të punojmë së bashku për ta fuqizuar Kosovën, por kjo është rruga që ata kanë zgjedhur, janë ata që e kanë shkatërruar bashkëpunimin”, u shpreh ajo.
Osmani theksoi se synimi i saj dhe i kandidatëve në listën e Lidhja Demokratike e Kosovës është t’i japin fund ndarjeve mes shqiptarëve, të cilat, sipas saj, po i shkaktojnë dëme vendit.






