Osmani flet si e rikthyer e plotë në LDK, kërkon që kush të ketë ambicie për kryetar partie “le të bëhet gati në 2027-ën”

- Advertisement -

I pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur “bashkim të madh,” ndërsa i dyti, Kujtim Shala, thjesht “bashkëpunim elektoral.”

Mbi këto dy vlerësime mospajtuese është artikuluar rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK, parti të cilën e kishte lënë më 2020-ën.

Atëherë ajo u bashkua politikisht me Vetëvendosjen, duke i transferuar trupë të ndjeshme elektorale Albin Kurtit.

Ish-Presidentja Osmani, gjatë fushatës zgjedhore, kishte qenë konfuze se çfarë do të jetë përfshirja e saj në LDK-në paszgjedhore, listën e së cilës e kryesonte si “kandidate për Presidente.”

Kjo gjë duket të jetë qartësuar në intervistën e fundit dhënë në “Debat Plus” para disa ditësh.

Duke folur në kontekstin e krizës së renovuar të LDK-së për udhëheqjen e partisë, Osmani foli si e rikthyer dhe e investuar e plotë, në mbështetje të kryetarit Abdixhiku.

Ky i fundit e ka njëjtësuar pozicionin e vet politik si “aty ku është Vjosa, jam edhe unë.”

Abdixhiku, i konfirmuar kryetar me shumicë teknike në Kuvendin Zgjedhor të fund-janarit të vitit të kaluar, ku kërkoi votëbesim, po ballafaqohet me kërkesa të sërishme për t’u zbritur nga karriga.

Degë me peshë e zyrtarë të lartë të LDK-së konsiderojnë se Abdixhiku ka shterruar mundësinë për ta ngritur partinë, e cila performon “dobët” në zgjedhje.

Për tri palë zgjedhje parlamentare kjo parti qëndroi e treta; as me Osmanin e rikthyer nuk arriti ndryshim në peshë elektorale.

Osmani, në anën tjetër, i dha mbështetje të plotë Abdixhikut, duke i njohur atribute të mëdha pune e peshe politike.

Ajo iu drejtua atyre me ambicie për drejtimin e partisë “që të bëhen gati” për zgjedhjet e brendshme të 2027-ës në LDK, për të garuar kundër tij.

“Mendoj që me vetë rikonfirmimin që Lumiri e ka marrë me 31 janar dhe me faktin që gjendemi në një moment tepër delikat për Kosovën, të gjithë duhet ta kemi reflektimin në këtë drejtim,” tha Osmani.

“Çdo mospajtim duhet të reflektohet në momentin dhe vendin e duhur, dhe kjo është zgjedhjet e 2027; ulemi bashkë e shohim kush është më i miri,” shtoi ajo.

“Lumiri më 31 janar me statut është rikonfirmu deri në fund të mandatit, në momentin që ia refuzon një lideri dorëheqjen,” përfundoi Osmani.

Pyetur në Rubikon nga Adriatik Kelemendi nëse konsideron dorëheqjen, Abdixhiku tha: “jo mor’ çfarti.”

“Jo more as që vjen shprehja. Le të harrojnë mos t’i fërkojnë as duart,” tha ai.

“Unë e kam pas përgjegjësinë morale me 30 dhjetor, me 28 dhjetor, në 31 janar kam marrë vendimin e shumicës deri të ekziston ajo shumicë,” shtoi Abdixhiku.

“Jam kryetar i LDK-së deri zgjedhjet e ardhshme; nëse i kanë dhënë zemër Kurtit me shku në zgjedhje, kanë me i dalë këta me i prit,” përfundoi ai.

Të ngjashme

Të fundit