OEAK, thirrje Qeverisë së Kosovës: Gazi amerikan të trajtohet si prioritet strategjik kombëtar

- Advertisement -

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që qasjen në gazin e lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (LNG) dhe zhvillimin e infrastrukturës së nevojshme të gazit ta trajtojë si prioritet strategjik kombëtar.

“Përveç përfitimeve ekonomike dhe energjetike, një orientim i tillë do të forconte edhe më tej bashkërendimin strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partnerin e saj më të rëndësishëm strategjik”, thuhet në deklaratën që pason editorialin e të ngarkuarës me detyrë në ambasadën amerikan, Anu Prattipati, me të cilin ajo një ditë më parë bëri thirrje që Kosova ta shfrytëzojë rastin e fundit për qasje te gazi amerikan.

OEAK rikujton se sistemi energjetik i Kosovës vazhdon të mbështetet në masë të madhe i mbështetur në termocentralet e vjetruara me linjit, ndërsa importi i energjisë elektrike vazhdon të jetë barrë e konsiderueshme për ekonominë. “Remontet e planifikuara të kapaciteteve ekzistuese gjeneruese, rritja e kërkesës për energji dhe ekspozimi gjithnjë e më i madh ndaj luhatjeve të tregut e theksojnë edhe më shumë nevojën për një miks energjetik më të diversifikuar dhe më rezistent”, thuhet në komunikatë.

“Sfida me të cilën përballet Kosova nuk është më disponueshmëria e furnizimit, por gatishmëria e vendit për ta shfrytëzuar atë. Kjo kërkon investime strategjike në infrastrukturë, modernizimin e kornizës ligjore dhe rregullatore për gazin natyror, si dhe angazhim më të fuqishëm me partnerët strategjikë. Investimi në infrastrukturën që mundëson qasjen në LNG nga SHBA-ja do të kontribuonte edhe në forcimin e bashkërendimit strategjik të Kosovës, në një kohë kur siguria energjetike dhe siguria gjeopolitike janë gjithnjë e më të ndërlidhura”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme

Të fundit