Trajneri i Milanit, Paulo Fonseka, analizoi triumfin 1-2 që skuadra e tij arriti në derbin ndaj Interit. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për mediat italiane ai u shpreh:
“Ishte derbi, Milani nuk e kishte fituar për një kohë të gjatë, dhe sigurisht që ishte i rëndësishëm për formën tonë aktuale. Mendoj se lojtarët treguan shumë guxim dhe ne e merituam fitoren. Nuk mbaj mend të kem parë një ekip që i ka shkaktuar kaq shumë probleme Interit për një kohë të gjatë.
Unë nuk mendoj se kemi ndryshuar strukturën e ekipit. Ne thjesht bëmë diçka pak më ndryshe dhe nëse do të kishim vështirësi, atëherë Fofana mund të kalojë mes qendërmbrojtësve. Ajo që ndryshoi ishin lojtarët.
Për mua ka pak ndryshim, sepse nuk i lexoj apo dëgjoj ato që thuhen për të ardhmen. Do të jetë një javë me pak më shumë besim, por gjëja e rëndësishme për mua është të vazhdoj të shoh lojtarët që besojnë në idetë tona, në mënyrën se si kanë bërë deri tani. Ne e dimë se duhet të përmirësohemi, por kjo ishte një fitore për lojtarët sot”, deklaroi Fonseka.