Ish-shtruesi i detyrës së drejtorit të Zyrës së Prokurimit në KEK, Ymer Dragusha, i cili akuzohet bashkë me Nagip Krasniqin për korrupsion në këtë ndërmarrje, e ka pranuar fajësinë.
Në marrëveshje për pranim të fajësisë, të cilën e ka publikuar gazetari Lirim Mehmetaj, prokuroria tregon se për cilat vepra Dragusha e ka pranuar fajësinë.
Aty bëhet e ditur se ai e ka pranuar fajësinë për katër vepra penale.
“I pandehuri Ymr Dragusha me shënimet si në shkresat e lëndës, pajtohet që të pranojë fajësinë për katër vepra penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar e sanksionuar me nenin 414 par. 2 lidhur me par. 1 të Kodit Nr. 06\L-074 Penal të Republikës së Kosovës“, thuhen në dokumentin e Prokurorisë së Shtetit.
Në këtë marrëveshje tregohet edhe për dënimin e rekomanduar.
Ndër të tjera, aty nga gjykata kërkohet që të mos ekzekutohet menjëherë dënimi ndaj të pandehurit.
“Palët në negocimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë janë pajtuar që gjykatës t`i propozojnë që ndaj të pandehurit të i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje dy vite burgim, mirëpo në bazë të nenit 48, 49 par.2, nenit 71 par. 1.3 dhe nenit 72 të KPRK-së, të urdhërohet që ky dënim të mos ekzekutohet, të jetë i kushtëzuar”, thuhet në marrëveshje.
Më pas, tregohen detyrimet që i pandehur do t`i përmbush të cilat rrjedhin nga marrëveshja për të bashkëpunim.