Deliu: Pesha e rëndë e aktgjykimit të Speciales po ndihet – vendimi i ka lënduar shqiptarët

- Advertisement -

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka komentuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Duke folur në emisionin “Weekend”, ajo tha se vendimi ka shkaktuar zhgënjim dhe mërzitje te shqiptarët, duke theksuar se ai ka prekur ndjeshëm ndjenjat e tyre.

“Mendoj që të gjithë shqiptarët ndihen të lënduar, të mërzitur. Ky aktgjykim, që i ka dënuar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 81 vjet burgim, ka prekur sentimentin, zemrën dhe ndjeshmërinë e secilit shqiptar, kudo që jeton”, tha ajo.

Deliu u shpreh se në Kosovë po ndihet pesha e këtij vendimi, por shtoi se ai nuk do ta ndalë angazhimin e tyre.

“Ne po e ndjejmë edhe peshën e rëndë të këtij vendimi. Aktgjykimi nuk do të na ndalë. Jemi më të përkushtuar se kurrë të angazhohemi”, deklaroi deputetja e PDK-së, njofton Klankosova.tv.

Ajo foli edhe për protestat që po zhvillohen në Kosovë dhe në diasporë, duke thënë se pjesëmarrja në to po rritet çdo ditë.

“Marshuesit çdo ditë po shtohen në sheshe, jo vetëm në Prishtinë e Kosovë, por kudo që ka shqiptarë, në Evropë, në SHBA, në Kanadanë e largët, po na japin frymëzim se jemi në rrugën e drejtë”, tha Deliu.

Sipas saj, vendimi i Speciales ka nxitur një mobilizim të gjerë të shqiptarëve.

“Sado i rëndë dhe i padrejtë ka qenë vendimi i dënimit, kjo është kthyer në një mobilizim gjithëkombëtar”, theksoi mes tjerash ajo.

Të ngjashme

Të fundit