Derisa Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar afatet për zgjedhjen e presidentit, vendi po i afrohet fundit të mandatit gjashtëmujor të ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, thotë se pas përfundimit të këtij mandati Kosova mund të përballet me një situatë të paprecedentë kushtetuese.
Jakaj në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se, pas përfundimit të mandatit gjashtëmujor të Haxhiut, vendi do të mbetet pa ushtrues të detyrës së presidentes, duke e cilësuar këtë si një situatë të pafavorshme për Republikën e Kosovës.
“Pasi që t’i mbarojë zonjës Haxhiu mandati prej 6 muajve, kur ajo e ka marrë detyrën para 6 muajve, vendi do të mbetet pa presidente, në kuptimin pa ushtrues të detyrës të presidentes dhe kështu do të hyjmë në një situatë, në një anarki kushtetuese, në një situatë që s’e kemi shkelë, por në një situatë e cila nuk është e favorshme për Republikën e Kosovës. 6 muaj ditë, por edhe prej kohës kur janë certifikuar rezultatet zgjedhore, por edhe prej kohës kur është konstituuar Kuvendi, partitë politike kanë pasur mundësinë, veçanërisht Lëvizja Vetëvendosje, që të diskutojnë dhe të arrijnë një marrëveshje për një president konsensual. Por nuk e kanë bërë”, ka deklaruar Jakaj.
Sipas tij, mënyra se si janë zhvilluar bisedimet politike deri më tani ka kontribuar në krijimin e situatës aktuale dhe mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve nëse partitë vazhdojnë me të njëjtin ritëm.
“Ajo çka është bërë, është dukur më shumë fiskultura politike, të cilat e kanë prodhuar këtë situatë dhe të cilat me gjasë do ta sjellin situatën kur do të shkojmë në zgjedhje në raste se vazhdojnë me të njëjtin ritëm të bisedimeve, me të njëjtën mënyrë të përdorimit të besimit të qytetarëve në drejtim të arritjes së një marrëveshje politike”, ka thënë ai.
Jakaj ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt që aktualisht udhëheq institucionet, duhet t’i ftojë të gjitha partitë politike në diskutime për të gjetur një zgjidhje.
“Ajo çka do të duhej me bë, veçanërisht Lëvizja Vetëvendosje aktualisht, është dashur që t’i thërrasë të gjitha partitë politike, qoftë kjo me një marrëveshje politike ku përfshihet edhe ligji për Dhomat e Specializuara. E nëse ka vullnet për projektligjin për Byronë, për 6 projektligjet që lidhen me deklaratën e zotimeve, për dy të tjerë projektligje të tjera të cilat lidhen me planin e rritjes, me projektligjin për ndarjet buxhetore, atëherë si ka mundësi që Qeveria e Kosovës nuk gjen një kohë të përshtatshme ta analizojë këtë projektligj dhe të ulet me PDK-në për ta arritur një marrëveshje për presidentin? Kjo gjë do të duhej me u bë në mënyrë që vendi mos me shku në zgjedhje”, është shprehur Jakaj për Ekonomia Online.
Ai ka paralajmëruar se, nëse nuk arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, pas përfundimit të mandatit të Haxhiut mund të lindin një sërë paqartësish institucionale, përfshirë edhe çështjen se kush do t’i ndërmarrë veprimet për shpalljen e zgjedhjeve.
“Nëse partitë politike nuk e kanë vullnetin që me zgjedhë një president konsensual, siç është thënë për me ia ngrohë zemrat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, atëherë ne fatkeqësisht gjendemi në një situatë ku pas 4 tetorit do të mbesim pa president, nuk do të dihet kush do ta shpallë datën e zgjedhjeve, kush do t’i thërrasë partitë politike në konsultim, kush do ta shpërndajë Kuvendin me nënshkruar dekretin për shpërndarje dhe kush pastaj do ta thërrasë seancën konstitutive edhe në rast se mbahen zgjedhjet. Tjetër çka që partitë politike munden edhe me konsideruar që me lejuar ushtrimin e një pozite të presidentes, në këtë rast zonjës Haxhiu ushtruese e detyrës, por kjo është kundërkushtetuese”, ka deklaruar ai.
Jakaj ka thënë se zëvendësimi i U.D presidentit/es do të ishte në kundërshtim me ligjin.
“Gjykata Kushtetuese mund të ndërrojë standardin, mund të ndërrojë dispozitën kushtetuese siç ka bërë në 2-3 herët e kaluara. Por një gjë e tillë do të ishte jashtë kushtetutshmërisë, jashtë ligjshmërisë, do të ishte në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, do të ishte në kundërshtim edhe me parimet e sundimit të ligjit. Pse të shkruhet në Kushtetutë atëherë 6-mujori? Pse të shkruhet një periudhë e caktuar kur një person i caktuar, në këtë rast Kryetari i Kuvendit, e ushtron një pozitë për 6 muaj? Sepse për 6 muaj ditë, në shtetet perëndimore, në shtetet me demokraci të konsoliduar, me parime të sundimit të ligjit, me shtete të së drejtës, për 6 muaj shtetet perëndimore bien dakord për çështje goxha të mëdha, e lëre më për një president siç do të duhej ta kishte Kosova deri më datën kur Gjykata Kushtetuese ka treguar se nëse nuk zgjidhet, vendi shkon në zgjedhje”, ka deklaruar Jakaj.
Gjykata Kushtetuese më 23 shtator ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.






