11.6 C
New York
Monday, May 6, 2024

Buy now

“Njëherë ta vizitoni, kurrë nuk do ta harroni…”, Lugina e Valbonës në sytë e të huajve

- Advertisement -

Një amfiteatër me përmasa biblike, rrethuar nga shpatet e thikta të Alpeve me majat e gurta që të qëndrojnë mbi kokë, veshur me një mantel që ndryshon ngjyrat në çdo stinë rreth një skene, ku të duket sikur do të shfaqen nga momenti në moment personazhet e legjendave.

Përtej dëgjohen papritur  bubullimat e shkëmbinjve dhe ortekëve që vazhdojnë rrëzohen rrëpirave prej miliona vitesh dhe më pas përsëri bie qetësia që prishet vetëm nga gurgullima e Valbonës, lumit që rrjedh mes përmes luginës nëpër zallin e shtruar me gurët e bardhë.

Lugina e Valbonës, për dikë mund të duket e rrezikshme, e ashpër, e egër, por gjithkush që ka pasur rastin të hyjë brenda kësaj skenografie, është mrekulluar nga brishtësia dhe bukuria e natyrës. Dhe përveç natyrës, ke rastin të trokasësh në portat e shtëpive dhe bujtinave shqiptare, të njohësh mikpritjen e zakonet e banorëve dhe të shijosh gatimet tradicionale. Kjo është arsyeja që çdo vit mijëra vizitorë nga vende të ndryshme të globit vijnë të përjetojnë nje eksperiencë të veçantë.

Davidi, një turist nga SHBA e përshkruan kështu udhëtimin e tij në Valbonë: Nga rrugëtimet epike e liqenet malore të mahnitshme, deri te ushqimi i shijshëm, Shqipëria veriore është vërtet magjike. Ajo krenohet me këtë bukuri, që u bë e njohur për të huajt vetëm njëzet vitet e fundit. Sapo ta vizitoni, nuk do ta harroni kurrë. Është një nga vendet e mia më të preferuara që kam udhëtuar.

Erina nga Gjermania shkruan: Është një lloj bukurie e papërpunuar. Mund të bëhen shumë shëtitje në Valbonë, me kohëzgjatje të ndryshme, por shënjimi i shtigjeve nuk është shumë i vazhdueshëm. Do të rekomandonim pajisjet e duhura për ecje për shkak të mungesës së infrastrukturës, si ura që mungojnë për të kaluar përrenjtë, ose gardhe dhe mbajtëse në pjesët më të pjerrëta të shtegut.

Robi nga Kanadaja: E mrekullueshme për t’u larguar nga turmat. Nuk kishim internetin e duhur, por gjithçka në rregull. Në tetor moti ishte i mahnitshëm dhe ngjyrat po ndryshonin. /Abcnews.al/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit