Një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë nga disa të shtëna në mesnatë në Loznicë të Serbisë, mediat në Beograd fillimisht raportuan se policia serbe kishte gjetur pasaportën e të dyshuarit i cili ishte Artan Hajrizi, por që më vonë rezultoi të jetë vëllai i tij Faton Hajrizi, i arratisuri nga burgu i Smrekonicës, shkruan Periskopi.
Siç raportojnë mediat serbe gjatë identifikimit, i dyshuari ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar dy policë. Njëri nga të plagosurit është përgjigjur me zjarr, por nuk ka arritur ta godasë – tha ministri i policisë Ivica Daçiq.
I dyshuari për vrasjen dhe plagosjen e policëve nuk ishte i regjistruar në vendkalimet administrative e as në pikat kufitare, duke qenë se është gjetur një letërnjoftim gjerman, për këtë arsye policia serbe ka kontaktuar me kolegët gjermanë dhe po bëhen kontrolle.
Taksisti Mithat Haxhiq nga Tutini, i cili u intervistua nga organet serbe, raportohet se ka marrë nga i dyshuari 450 euro për ta transportuar atë për në Loznicë.
Sipas taksistit, marrëveshja ka qenë gjoja për ta çuar atë në një hotel në pronësi të, siç tha taksisti i arrestuar, Marko Markoviq.
Megjithatë, mediat serbe raportojnë se një hotel i tillë nuk ekziston.
Sipas “Novosti”, Policia e ka pyetur taksistin, “a nuk ishte e dyshimtë se kë dhe ku po e çoje”, për të cilën ai nuk u përgjigj saktë dhe qartë.
Po ashtu, thuhet se ai po e transportonte një shqiptar të shpallur në kërkim dhe i cili donte të kalonte në Bosnje dhe Hercegovinë.