“Një nga momentet më të dhimbshme të karrierës sime” – Kreshnik Hajrizi u kërkon falje publike tifozëve dhe bashkëlojtarëve

- Advertisement -

Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Kreshnik Hajrizi, ka reaguar përmes një mesazhi emocionues pas gabimit të bërë në ndeshjen ndaj Republikës së Irlandës, ku u ndëshkua me karton të kuq, duke i lënë “Dardanët” me një lojtar më pak në një moment vendimtar të takimit.

27-vjeçari nuk i ka fshehur emocionet dhe zhgënjimin e thellë pas disfatës 3-0 në Dublin, duke marrë përsipër përgjegjësinë e plotë për veprimin e tij dhe duke u kërkuar falje publike tifozëve, bashkëlojtarëve dhe gjithë popullit të Kosovës shkruan IndeksOnline.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hajrizi e ka cilësuar këtë episod si një nga momentet më të dhimbshme të karrierës së tij, duke pranuar se gabimi i tij pati pasoja të rënda për ekipin.

“Një moment jashtëzakonisht i vështirë për t’u përjetuar, pa dyshim një nga momentet më të dhimbshme të karrierës sime. Sot ndiej një zhgënjim të madh dhe një dëshpërim të thellë. Kam bërë një gabim që pati pasoja të rënda dhe që lëndoi një vend të tërë, një komb të tërë. Jam plotësisht i vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbaj dhe dua të kërkoj falje me gjithë zemër”, ka shkruar fillimisht ai.

Më tej, mbrojtësi kosovar u ka drejtuar një mesazh të veçantë tifozëve “Dardanë” dhe bashkëlojtarëve të tij në Kombëtare.

“Të gjithë tifozëve Dardanë që ishin të pranishëm në stadium, të gjithë atyre që brohoritën, shpresuan dhe mbështetën ekipin tonë, si dhe çdo personi që e mban Kosovën në zemër, ju kërkoj falje. Dua të kërkoj falje edhe ndaj bashkëlojtarëve të mi. Faleminderit të gjithëve që vazhdojnë të na mbështesin, edhe në momentet më të vështira. Forca Kosovë! Dashuri dhe respekt i pafund për këtë fanellë dhe për gjithë kombin tonë”, përfundoi Hajrizi.

Kujtojmë se mbrojtësi kosovar u ndëshkua direkt me karton të kuq në pjesën e parë të përballjes me Irlandën, pas një ndërhyrjeje me dorë në vijën e portës.

Pas këtij episodi, vendasit shënuan nga pika e bardhë e penalltisë dhe më pas realizuan edhe dy herë të tjera, duke triumfuar me rezultat përfundimtar 3-0

Të ngjashme

Të fundit