Verboci mund të jetë duke zbuluar një kapitull të jashtëzakonshëm të historisë së hershme njerëzore në territorin e Drenasit.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, së bashku me Nënkryetarin e Komunës, Arben Shala, kanë vizituar sot lokalitetin në fshatin Verboc, ku po zhvillohen hulumtime dhe gjurmime arkeologjike për periudhën e Paleolitit.
Hulumtimi po zhvillohet nga studiues të Universitetit të Tübingenit të Gjermanisë, në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Kosovës, ndërsa pjesë e ekipit hulumtues është edhe arkeologu nga Drenasi, Sami Haziraj.
Në këtë hulumtim është i përfshirë edhe Prof. Dr. Harald Floss, arkeolog dhe profesor në Universitetin e Tübingenit, një prej studiuesve të njohur në fushën e Paleolitit. Nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, hulumtimet në terren udhëhiqen nga arkeologu Luan Gashi, i cili është i angazhuar në studimin dhe dokumentimin e gjurmëve të kësaj periudhe.
Gjurmimet e para të studiuesve në këtë lokalitet kishin filluar qysh në vitin 2021, ndërsa puna e vazhdueshme në terren ka bërë që Verboci të jetë tashmë në vëmendjen e studiuesve për potencialin e tij të jashtëzakonshëm arkeologjik.
Deri më tani, gjatë punës në terren, studiuesit pretendojnë se kanë identifikuar gjurmë të konsiderueshme që mund t’i përkasin periudhës së Paleolitit. Sipas vlerësimeve të para të studiuesve, këto gjurmë mund të jenë rreth 25 mijë deri në 70 mijë vjet të vjetra.
Bëhet fjalë për vlerësime fillestare, ndërsa datimi dhe interpretimi përfundimtar i gjetjeve do të përcaktohet përmes analizave dhe studimeve të mëtejshme shkencore.
Ky hulumtim e vendos Verbocin përballë një perspektive krejt tjetër: një hapësirë e sotme e Drenasit, e cila mund të ruajë në tokën e saj dëshmi të jetës njerëzore të dhjetëra mijëra viteve më parë.
Gjatë vizitës, Kryetari Lladrovci u njoh nga afër me punën e studiuesve dhe rezultatet e deritanishme, duke vlerësuar rëndësinë e këtij hulumtimi për Drenasin dhe Kosovën.
“Është jashtëzakonisht interesante të shohësh se në tokën e Drenasit mund të ruhen gjurmë që na çojnë dhjetëra mijëra vite prapa në historinë e njerëzimit. Verboci po dëshmon se trashëgimia jonë është shumë më e thellë dhe më e pasur sesa ajo që kemi njohur deri më sot. Jemi të lumtur që në këtë hulumtim është i përfshirë edhe arkeologu ynë, Sami Haziraj, si dhe studiuesit nga Universiteti i Tübingenit dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës. Komuna e Drenasit do të vazhdojë të mbështesë punën shkencore dhe institucionale për dokumentimin dhe ruajtjen e kësaj pasurie”, u shpreh Kryetari Lladrovci.
Komuna e Drenasit e vlerëson këtë hulumtim si një mundësi të rëndësishme për zbulimin, dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë së pasur arkeologjike të komunës, ndërsa rezultatet përfundimtare të hulumtimeve pritet të japin përgjigje edhe më të qarta për rëndësinë dhe moshën e këtij lokaliteti.
🔎 Verboci – aty ku toka mund të jetë duke treguar një histori që ka nisur dhjetëra mijëra vite më parë.






