Një ditë pas takimit konsultativ me Albin Kurtin dhe një ditë para seancës konstituive të kuvendit, Lumir Abdixhiku do të mbledhë sot grupin parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Burime të IndeksOnline bëjnë me dije se çështjet e diskutuara dje dhe hapat që do të ndërmerren nesër gjatë seancës janë në mesin e pikave që do të diskutohen në këtë takim.
Kujtojmë se kryetari i LDK-së u takua dje me atë të LVV-së, për të diskutuar çështjet që preokupojnë shtetin, me rastin e zgjidhjes së emërimit të presidentit.
Pas takimit gati triorësh me Kurtin, Abdixhiku, deklaroi se partia e tij ka hyrë në diskutimet politike me vullnet të mirë, duke respektuar rezultatin e zgjedhjeve dhe me synimin për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Ishte një takim i mirë dhe konstruktiv. Diskutuam për çështje programore, politike dhe për vizionin strategjik të së ardhmes. Do të vazhdojmë përpjekjet që edhe në ditët në vijim të zhvillojmë diskutime më të thelluara”, u shpreh Abdixhiku






