Presidenti i Federata e Futbollit e Kosovës, Agim Ademi, ka kujtuar sot 10-vjetorin e pranimit të Kosovës në FIFA, duke e cilësuar këtë moment si një nga ngjarjet më historike për sportin dhe shtetin e Kosovës.
Përmes një mesazhi publik, Ademi tha se anëtarësimi i Kosovës si anëtarja e 210-të e FIFA-s ishte rezultat i një rruge të gjatë sakrificash, përkushtimi dhe besimi nga shumë gjenerata që mbajtën gjallë futbollin kosovar edhe në periudhat më të vështira.
Ai shprehu mirënjohje të veçantë për legjendën Fadil Vokrri dhe për të gjithë kontribuuesit që, sipas tij, luajtën rol kyç në realizimin e këtij synimi historik.
Ademi falënderoi gjithashtu presidentin e FIFA, Gianni Infantino, për mbështetjen dhe miqësinë e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe futbollit kosovar.
Sipas tij, pranimi në FIFA shënoi fillimin e një epoke të re për futbollin në vend, duke theksuar zhvillimin e vazhdueshëm të infrastrukturës sportive, si dhe paraqitjet e ekipeve kombëtare dhe klubeve kosovare në arenën ndërkombëtare.
“Vazhdojmë përpara me krenari dhe përgjegjësi, me futbollin për Kosovën”, ka deklaruar Ademi në mesazhin e tij me rastin e këtij jubileu.
Postimi i plotë:
🇽🇰⚽ Një dekadë nga pranimi në FIFA
Sot shënojmë me krenari 10-vjetorin e anëtarësimit të Kosovës në FIFA, një moment historik ku FFK u bë anëtarja e 210-të e shtëpisë më të madhe të futbollit botëror.
Ky ishte një triumf i madh për futbollin dhe shtetin tonë, pas një rruge të gjatë sakrificash, përkushtimi dhe besimi të palëkundur. Ishte fitore e të gjitha gjeneratave që mbajtën gjallë futbollin e Kosovës edhe në periudhat më të vështira.
Në këtë përvjetor jubilar, me respektin dhe mirënjohjen më të thellë kujtojmë legjendën Fadil Vokrri dhe të gjithë ata që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në këtë rrugëtim historik.
Mirënjohje e veçantë edhe për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për mbështetjen dhe miqësinë e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe futbollit tonë.
Pranimi në FIFA ishte fillimi i një epoke të re. Sot, FFK është një institucion modern, me infrastrukturë në zhvillim të vazhdueshëm dhe me ekipet kombëtare e klubet tona që përfaqësojnë me dinjitet Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Vazhdojmë përpara me krenari dhe përgjegjësi, me futbollin për Kosovën!
Urime Kosovë! 💙💛






