Nisma e PDK-së e Kurtit për Ligj krejt të ri për Hagën, BE: Presim të konsultohemi për çfarëdo ndryshimi

- Advertisement -

Një zëdhënës i Bashkimi Evropian ka thënë se Brukseli zyrtar pret të konsultohet për çfarëdo ndryshimi të Ligjit për Gjykatën Speciale me seli në Hagë. Kjo pas nismës së re të PDK’së dhe Qeverisë së Kosovës për bërjen e një Ligji të ri, që do të bazohet në tekstin e të vjetrit që u miratua në dy lexime gjatë tetorit të këtij viti.

Ky zëdhënës i Bashkimit Evropian në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se ky është një zhvillim që BE-ja po e përcjell nga afër, duke bërë thirrje për respektim të pavarësisë së Gjykatës.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, që funksionon brenda sistemit juridik të Kosovës dhe është i përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës. Mandati dhe pavarësia e tyre aktuale duhet të respektohen plotësisht dhe pa asnjë rezervë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së.

Në përgjigje, ky zëdhënës i është referuar edhe shkëmbimit të letrave të vitit 2014 ndërmjet Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe presidentit të atëhershëm të Kosovës, duke theksuar se pret të konsultohet për çdo iniciativë të re që synon ndryshimin e legjislacionit.

“Ne presim që të konsultohemi për çdo iniciativë të re që ndryshon legjislacionin”, thuhet në përgjigje.

Zëdhënësi i BE-së ka theksuar gjithashtu se sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e viktimave dhe dëshmitarëve, mbeten me rëndësi parësore.

Të ngjashme

Të fundit