Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sapo ka nisur seanca e radhës për rastin e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku pritet të jepet fjala përfundimtare.
Para trupit gjykues janë paraqitur të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Ata akuzohen për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023, ku gjatë sulmit mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe u plagosën disa zyrtarë të tjerë policorë.
Me dhënien e fjalës përfundimtare, ky proces gjyqësor hyn në një fazë vendimtare, ndërsa pritet që në vijim të merret edhe vendimi i gjykatës.
Trupi gjykues bëri me dije se fjala përfundimtare do të thuhet brenda dy ditësh, për t’i lënë radhën fjalës së mbrojtjes.






