10.1 C
New York
Wednesday, April 24, 2024

Buy now

Nis ndërtimi i bunkerit të “Radios Kosova e Lirë

- Advertisement -

Mesditën e kësaj të enjte filloi projekti për ndërtimin e bunkerit historik të radios “Kosova e Lirë”.

E për t’i parë punimet e ditës së parë, në terren doli edhe vet ish-ekipi i radios. Këta për Tëvë1 treguan se si u ndërtua bunkeri, të cilin nuk e prishën as granatimet e vazhdueshme serbe.

Të enjten kanë nisur punimet për ndërtimin e bunkerit të Radios “Kosova e Lirë” në majën Majën e Pllanikut.

E për t’i parë punimet e ditës së parë, në terren doli edhe vet ish-ekipi i radios.

Madje këta nga afër u njoftuan edhe me projektin e bunkerit.

Nisja e këtyre punimeve, ka emocionuar ish-stafin e kësaj radioje.

Ish-zëri i saj, Nusret Pllana, thotë se më në fund bunkerit historik, po i kthehet pamja që e meriton.

“Mua dhe Martinit dhe Rizës, që patëm rastin dhe fatin të jemi në vendin e ngjarjes, na emocionoi kjo punë e kryer me kritere të larta profesionale, dhe jep me kuptua që ky projekt pas 24 vjetëve do të kryhet me sukses të plotë”, thotë Pllana.

E ai që gjatë kohës së luftës dha idenë për ndërtimin e këtij bunkeri, ishte ish-gazetari, Martin Çuni.

Për Tëvë1, Çuni ka treguar se si u ndërtua bunkeri, të cilin nuk e prishën as granatimet e vazhdueshme serbe.

“Gurët i kemi çelë, ka qenë diku 1 metër e gjysmë apo 2. E bëmë thellësinë sa na i mori mendja, me dy palë drunj. Një palë drunj, thasë të mbushur me dhe, pastaj edhe një palë drunj dhe mbi to gurë”, u shprehë Çuni.

E teknik i radios atë kohë, ishte Riza Berisha nga fshati Berishë.

Ky thotë se rikthimi i bunkerit, do t’i sjell fshatit edhe shumë vizitorë.

“Jo që po shpresojmë, po ma merr mendja që do të ketë vizitor aq shumë saqë do të jetë pika më e vizituar në 10 vjetshin e fundit”, tha Berisha.

Ndryshe, rruga nga fshati Berishë që të çon në Majën e Pllanikut ku ishte vendosur bunkeri është zgjeruar në muajin shtator të vitit të kaluar.

Ndërsa me 2 maj të këtij viti, komuna e Malishevës mori vendim për ndarjen e 25 mijë eurove, për shtrimin me zhavorr të kësaj rruge.

Kurse Pllana, Çuni e Berisha, shpresojnë se vendim të tillë, do të marrë edhe Komuna e Drenasit, për më pak se 1 km rrugë, që gjendet në territorin e tyre.

Krejt kjo për ta promovuar bunkerin me 21 qershor, që ishte dita e fundit e transmetimit të kësaj radioje.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit