Ngrihet Obelisku: UÇK-ja do të shndrisë edhe nga Blinaja

- Advertisement -

Qindra qytetarë janë mbledhur në kodrën e Blinajës, në komunën e Lipjanit, për të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit dhe ndriçimit të tri shkronjave të arta “UÇK”.

Vendosja e këtyre shkronjave në kodrën e Blinajës synon që simboli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kujtimi për luftën e saj të shihen nga një pjesë sa më e madhe e territorit përreth.

Organizatori dhe iniciatori i projektit, Besim Jusufi për Klan Kosovën ka treguar se ideja për ngritjen e memorialit lidhet me rëndësinë e kësaj zone gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Memoriali i UÇK-së ishte fillimisht sepse këtu kanë qenë pozicionet e para të kësaj ane, të UÇK-së. E dyta, rruga kyçe e furnizimit në Drenicë dhe deri në Deçan ka kaluar nga kjo pjesë”, ka thënë Jusufi.

Ai ka përmendur edhe kontributin e banorëve dhe familjeve të zonës në realizimin e projektit, duke theksuar se financimi kryesor është siguruar nga një mik i tij, ndërsa punimet janë realizuar me ndihmën e familjarëve, miqve dhe disa shoqatave.

Sipas tij, projekti është finalizuar pas 3 muajsh punë.

“Kanë qenë edhe disa pengesa, por pas 3 muajsh kemi arritur ta finalizojmë”, ka deklaruar Jusufi.

Në ceremoninë e organizuar në Blinajë janë paralajmëruar fjalime, muzikë dhe pjesëmarrja e figurave politike e ushtarake, si dhe qytetarëve të shumtë.

Të ngjashme

Të fundit