Ish-presidenti Hashim Thaçi, në intervistën ekskluzive për “Top Story” nga Haga, ka folur edhe për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Tiranë.
Ai e konsideron këtë veprim si pikën më kulminante të historisë politike të Shqipërisë. “Edi e lehtësoi pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes. Samiti i NATO-së mund të jetë më i vështirë për përpjekjet e tij. Por, edhe Kosova duhet ta ndihmoj vetveten”, theksoi ai.
Grida Duma: Kryeministri Edi Rama i kërkoi Presidentit amerikan Donald Trump, në Bordin e Paqes, të ndërhyjë për të ndalur atë që e quajti “çmenduri” ndaj jush dhe bashkëluftëtarëve tuaj. A prisni një reagim konkret nga SHBA apo nga Presidenti Trump?
Hashim Thaçi: Pres një aktgjykim të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar nga askush dhe nga asnjë lloj motivi. Të vërtetën e kanë parë gjyqtarët, realitetin e ka parë edhe bota. Tashmë u mbetet atyre të nxjerrin vendimin; është në duart e tyre.
Edi më ka vizituar disa herë. I jam mirënjohës nga zemra. Ai, pikërisht përmes reformave, ka vendosur ta bëjë Shqipërinë evropiane.
Nganjëherë mendoj, duke parë vështirësitë me të cilat ballafaqohet në rrugëtimin evropian të Shqipërisë, sikur ta jetonin këtë kohë Noli dhe Konica, do ta shpallnin të çmendur, aventurier apo gjeni. Do t’u dukej mision i parealizueshëm.
Dihet ata (Noli dhe Konica) zhvilluan beteja politike, diplomatike dhe mediale; disa i fituan e shumë i humbën. E disa nuk i ndalen deri në frymën e fundit. (raportet dhe ballafaqimet mes tyre, nuk janë objekt i këtij shënimi nga ana ime).
Të gjorët u munduan për perëndimizimin e Shqipërisë dhe shqiptareve, por, nga mbetjet me feude lokale u intriguan, u baltosën, u zhgënjyen, u kërcënuan, U DOREZUAN, IKEN dhe nuk u kthyen më.
Edi po e vlerëson besimin qytetar dhe bashkëpunimin me ndërkombëtarët. Po e dëgjon me vëmendje edhe kritikën. Hallall, nuk po dorëzohet përballë vështirësive. Shqipëria po ecën përpara.
Konfirmimi për organizimin e samitit të NATO-së vitin e ardhshëm në Tiranë, krahas anëtarësimit të saj në NATO, është pika kulminante e historisë politike të Shqipërisë. Paraqet besimin e perëndimoreve për progresin e euro-atlantik të saj. Ky fakt duhet të bëjë të ndihet mirë çdo shqiptar.
Pas dështimit të Kosovës për prezencë në samitin e Ankarasë, shpresoj që Edi të gjej ndonjë hapësirë legale për pjesëmarrje e Kosovës në margjinat e samitit në Tiranë. Edi e lehtësoi pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes. Samiti i NATO-së mund të jetë më i vështirë për përpjekjet e tij. Por, edhe Kosova duhet ta ndihmoj vetveten.
Grida Duma: Në vitin 2015, Albin Kurti ju kërkoi të mos votohej krijimi i Gjykatës Speciale. Sot, duke parë zhvillimet dhe akuzat e ngritura, a mendoni se ngritja e saj ishte vendim i gabuar?
Hashim Thaçi: Grida, Kosova ishte midis dy zjarresh: të themelonte gjykatën bashkërisht me partnerët ndërkombëtarë, ose të lejonte formimin e saj nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.
U përcaktuam për të keqen më të vogël për Kosovën. Kështu e evituam Rusinë dhe Kinën nga procesi; sikur të ndodhte e kundërta, do të ishte një kthim prapa për Kosovën në kuptimin legal, politik dhe historik.
Për rrethanat thelbësore të ardhjes deri të formimi i kësaj gjykate dhe ecuria e më pastajme, si një proces i gjatë dhe intrigues, nuk mund dhe nuk dua të flas.
Isha i zotuar nga ana ime të mos i ndodhte asgjë e keqe Kosovës. Tani jam duke paguar çmimin në lëkurën time. Por, kapërcen edhe kjo vështirësi.
Grida Duma: A keni pasur informacione se Presidenca e Kosovës dhe Presidentja Vjosa Osmani janë kërcënuar për shkak të refuzimit për të lejuar kontrolle nga prokuroria e Hagës?
Hashim Thaçi: Nuk kam koment.






