Nga mendimi për të lënë futbollin në një yll bote, historia emocionale e Antoine Semenyo

- Advertisement -

Antoine Semenyo sot është një nga emrat më të njohur të futbollit anglez dhe pjesë e Manchester Cityt, por rrugëtimi i tij drejt majës së futbollit botëror ka qenë gjithçka tjetër përveçse i lehtë.

Sulmuesi 26-vjeçar, i cili këtë verë po përfaqëson Ganën në Kupën e Botës, dikur ishte pranë dorëzimit të ëndrrës së tij për t’u bërë futbollist profesionist. Pas refuzimeve të njëpasnjëshme nga akademitë e klubeve të mëdha si Arsenal, Tottenham, Millwall dhe Crystal Palace, Semenyo humbi besimin dhe në moshën 16-vjeçare mendoi seriozisht të largohej nga futbolli, transmeton Klankosova.tv.

Megjithatë, gjithçka ndryshoi falë trajnerit David Hockaday, njeriu që pa potencial tek ai kur askush tjetër nuk e bënte. Hockaday e takoi Semenyon gjatë një prove në Bisham Abbey dhe menjëherë kuptoi se kishte përballë një talent të veçantë.

“Kur e pashë për herë të parë, ai dukej i humbur. Nuk kishte besim në vetvete dhe po kërkonte dikë që ta ndihmonte të gjente rrugën e tij”, kujton Hockaday për BBC sport.

Trajneri vendosi ta merrte nën kujdesin e tij dhe e përfshiu në ekipin e South Gloucestershire and Stroud College (SGS). Për ta ndihmuar, ai zgjohej në orën 5 të mëngjesit dhe e merrte me makinë për ta çuar në ndeshje. Gjatë atyre udhëtimeve lindi filozofia që do ta shoqëronte Semenyon gjatë gjithë karrierës: “uri dhe besim”.

Këto dy fjalë mbetën aq të rëndësishme për sulmuesin saqë, kur firmosi me Bournemouth në vitin 2023, ai i dërgoi Hockadayt një shishe shampanjë me mbishkrimin “Hunger and Belief” (Uri dhe Besim), si shenjë falënderimi.

Pas aventurave në Bath City, Newport County dhe disa huazimeve të tjera, Semenyo më në fund shpërtheu te Bristol City.

Nën drejtimin e Nigel Pearson, transmeton klankosova.tvm ai u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, duke tërhequr vëmendjen e klubeve të Premier Ligës.

Në janar të vitit 2023, Bournemouth pagoi 10 milionë funte për kartonin e tij. Në bregdetin jugor të Anglisë, Semenyo u bë një nga lojtarët më të spikatur të ekipit, duke realizuar 32 gola dhe 13 asistime në 110 paraqitje.

Forma e tij e jashtëzakonshme nuk kaloi pa u vënë re nga Pep Guardiola, në janar të vitit 2026, Manchester City e transferoi për 65 milionë funte, një lëvizje që përfaqëson kulmin e një rruge të gjatë dhe të vështirë.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Semenyo e përfundoi sezonin si hero i Cityt, duke shënuar golin e fitores ndaj Chelseat në finalen e FA Cup në Wembley.

Pavarësisht suksesit, Hockaday thotë se ish-nxënësi i tij ka mbetur po ai djalë i thjeshtë dhe modest.

“Gjithmonë i thoja: mos u përpiq t’u tregosh të tjerëve se kanë gabuar, por provoji vetes se ke të drejtë. Kjo është ajo që ka bërë Antoine gjatë gjithë karrierës së tij”, tha ai.

Historia e Antoine Semenyos është dëshmi se refuzimet nuk përcaktojnë të ardhmen. Nga një adoleshent që mendonte të hiqte dorë nga futbolli, ai është shndërruar në një nga yjet e Premier Ligës dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të Ganës në skenën botërore.

Të ngjashme

Të fundit