I riu nga Dobrosheci i Drenasit, Murat Avdyli, ka nisur një rrugë të re në politikë në Gjermani, duke u zgjedhur asamblist në qytetin Bad Homburg, në landin Hessen, si pjesë e CDU-së.
19-vjeçari është gjithashtu shqiptari i vetëm në këtë asamble dhe njëkohësisht më i riu i saj.
Në një intervistë për emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, ai ka treguar për rrugëtimin e tij nga emigrimi deri te përfshirja në politikë.
“Fillimi ka qenë pak i vështirë, por gradualisht ja kemi dalë. Kam vazhduar shkollën, kam qenë në gjimnaz dhe në vitet e fundit jam angazhuar me këto tema, pastaj jam bashkuar me rininë e CDU-së. Pas një viti kam hyrë në kryesi dhe jam bërë përgjegjës i anëtarëve të partisë. Më pas, pas bisedave brenda partisë, jam kandiduar në listë dhe kam fituar besimin për të garuar si asamblist në Bad Homburg”, tha Avdyli.
Ai theksoi se shqiptarët kanë qenë mbështetje e rëndësishme gjatë fushatës së tij.
“Shqiptarët kanë qenë motori i fushatës sime. I falënderoj shumë të gjithë shqiptarët që më kanë mbështetur. Këtu në Bad Homburg janë disa familje shqiptare me biznese të tyre që më kanë ndihmuar shumë. Po ashtu familja ime, veçanërisht babai, ka dhënë një kontribut të madh në fushatë. I falënderoj me gjithë zemër për mbështetjen e madhe”, u shpreh mes tjerash i riu.
Ndiqni intervistën e plotë:






