Nënkryetarja Musmurati: Prishtina sot vishet me flamujt e lirisë, Kosova po pret kthimin e çlirimtarëve

- Advertisement -

Një ditë pas nisjes së “Orës së Pritjes” në Prishtinë, ku filloi numërimi së prapthi drejt 16 shtatorit në pritje të çlirimtarëve, Kryeqyteti ka vazhduar sot me aktivitetin e radhës në kuadër të kësaj fryme.

Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka njoftuar se qyteti ka nisur të stoliset me flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si simbol i historisë, sakrificës dhe krenarisë kombëtare.

“Prishtina sot vishet me flamujt e lirisë sepse Kosova po pret kthimin e çlirimtarëve. Në çdo shesh, një simbol i historisë, sakrificës dhe krenarisë sonë”, ka shkruar Musmurati.

Ky aktivitet vjen pas lansimit të “Orës së Pritjes”, e cila u aktivizua të shtunën në Bulevardin “Nëna Terezë” dhe po numëron ditët, orët, minutat dhe sekondat deri më 16 shtator.

Aktivitetet në Kryeqytet po zhvillohen në mbështetje të mesazhit “Kosova po pret”, si dhe të Marshit për Liri, që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë.

Të ngjashme

Të fundit