Të premten është raportuar për mbi një mijë e 400 njësi infuzioni të cilat u hoqën nga stoku në spitalin “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
Shkak u bë një shishe në të cilën u gjetën ndryshime të dukshme e të dyshimta.
Klan Kosova që siguroi pamjet e kësaj doze, mëson se ky lëng erdhi nga India.
E për këtë çështje, kandidati për deputet nga PDK, Bekim Haxhiu, tha se është shqetësuese se çfarë po ndodh me shëndetësinë e Kosovës.
Duke qenë se vetë Haxhiu në të kaluarën ka qenë edhe kryetar i Komisionit parlamentar për Shëndetësi, ai hodhi akuza ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe vartësit të tij në krye të shëndetësisë, Arben Vitia, si të përfshirë në “biznesin farmaceutik.
“E kemi kryeministrin në detyrë Albin Kurtin dhe përgjegjësin për menaxhimin e shëndetësisë Arben Vitia, të cilët po e dëshmojnë çdo ditë e më shumë se janë të lidhur ngushtë me biznesin farmaceutik. Ajo që do duhej të vendosej rregull në këtë sektor, tani është shndërruar haptazi në një sistem abuzimesh në kurriz të pacientëve. Dhe kjo nuk është vetëm një keqmenaxhim, por këtu kemi të bëjmë edhe me cenim të shëndetit të pacientëve në Republikën e Kosovës”, u shpreh ai.
Haxhiu tha se Prokuroria e Kosovës do të duhej ex-oficio të reagonte në këtë rast e në shumë raste të tjera të cilat thotë se i ka ngritur në Kuvend, “e të cilat kanë mbetur në sirtarët e prokurorisë për shkak të interferimeve të qeverisë”.
Ndër të tjera, Haxhiu thotë se “e gjithë kjo është një skemë e organizuar në kuadër të sistemit shëndetësor për biznese dhe përfitime multimilionëshe të grupeve të interesit të lidhura drejtpërdrejtë me qeverinë e Kosovës”.
“Duke e ditur që, jeni dëshmitarë edhe ju, që kompani ose biznese të cilat kanë marrë kontrata milionëshe, deri afër 100 milionë euro me Ministrinë e Shëndetësisë, në fund pastaj, për Pashkë, po në të njëjtën kompani shkon për vizitë te familja e asaj kompanie kryeministri Kurti, kjo tregon që ai qëndron prapa kësaj kompanie dhe i mbulon gjithë aferat të cilat janë të lidhura me kontrollin”, u shpreh më tej ish-deputeti i PDK-së.






