8.2 C
New York
Sunday, December 29, 2024

Buy now

Në Shqipëri janë djegur mbi 29 mijë ha pyje vetëm muajt e fundit

- Advertisement -

Sistemi Europian i Informacionit për Zjarret në Pyje, EFFI, bëri njoftoi se në Shqipëri nga data 1 janar 2024 deri më 15 gusht, janë djegur gjithsej 29 143 hektarë me pyje. Po sipas këtij burimi, vetëm gjatë javës së fundit, në Shqipëri janë djegur nga zjarret 2 390 hektarë pyje.

Që nga fillimi i vitit, sistemi satelitor i monitorimit i Bashkimit Europian ka vërejtur “1159 anomali termike në territorin e Shqipërisë. 410 anomali termike janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit, me rritje në krahasim me një javë më parë, çka flet për rritje të temperaturave me ndikim në situatën e zjarreve në sipërfaqet pyjore”.

Për shkak të vatrave të shumta të zjarrit në pyje dhe kapaciteteve të kufizuara për shuarjen e tyre, gjatë muajit korrik dhe gusht Shqipëria aktivizoi dy herë Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile.

Në muajin korrik Shqipëria u mbështet me një helikopter të ardhur nga Italia, ndërsa një ditë më parë, në bazën ajrore të Kuçovës arritën nga Rumania dy helikopterë për shuarjen e vatrave të zjarreve në pyjet e Shqipërisë.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë regjistruar më shumë se 40 vatra zjarri, duke shënuar një nga ditët me intensitet të lartë të zjarreve në pyje.

Prej më shumë se dy muajsh, thuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë, janë shfaqur vatra të shumta zjarri në sipërfaqet pyjore. Situata është më problematike në zonat e mbrojtura, ku vatrat e zjarreve po vazhdojnë me shpejtësi të përhapen. Kështu, zjarret e përhapura në territorin e Maqedonisë së Veriut janë shfaqur edhe në brendësi të territorit të Shqipërisë, në Parkun Kombëtar të Prespës, në Malin e Thatë.

Gjithashtu, vatra zjarri janë përhapur edhe në Parkun Kombëtar të Alpeve, në Çerem të Tropojës, Parkun Kombëtar në Theth, atë në Lurë të Dibrës, Malin e Tomorit si dhe parkun arkeologjik të Finiqit. Në fund të muajit të kaluar zjarret në sipërfaqet pyjore rrezikuan edhe një numër resortesh turistike në bregdetin e Shëngjinit.

Shqipëria ka kapacitete të kufizuara teknike dhe njerëzore për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret dhe dëmtimet e qëllimshme. Vendi ka rreth 1300 punëtorë dhe ekspertë pyjesh, rreth 140 automjete zjarrfikëse, shumica të vjetra dhe të papërshtatshme për shuarjen e zjarreve në sipërfaqet pyjore, dhe asnjë helikopter të specializuar për shuarjen e vatrave të zjarrit nga ajri.

Në këto kushte, qeveria shqiptare, prej dy muajsh, ka aktivizuar në të gjithë vendin forcat dhe mjetet e ushtrisë në operacionin për shuarjen e zjarreve në sipërfaqet pyjore.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit