Pas miratimit njëzëri të Deklaratës “Jo në emrin tim” të asamblistëve të Asamblesë të Komunës së Drenasit, kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci, ka deklaruar se është krenar me asamblistët që votuan njëzëri.
Deklarata e Lladrovcit:
Krenar me Asamblenë e Komunës së Drenasit, njëzëri, aprovuam këtë Deklaratë:
Kuvendi i Komunës së Drenasit, në mbledhjen e mbajtur më 25.9.2026, duke respektuar pavarësinë e sistemit gjyqësor, parimet e drejtësisë penale, duke shpreh dinjitet dhe respekt të veçantë për viktimat, miraton këtë
Deklaratë:
1. Kuvendi shpreh mospajtimin e thellë me Aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të shpallur më 16 shtator 2026, ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dhe e konsideron atë të padrejtë, të pa bazuar, dhe si i tillë anashkalon kontekstin historik të ngjarjeve jetike për Kosovën dhe qytetarët e saj.
2. Qëndrimi i Kuvendit mbështetet në parimin se çdo vendim i gjyqit duhet të jetë i mbështetur në fakte, prova dhe ligj, në një proces të drejtë gjyqësor në të cilin duhet të vlerësohen provat e pakontestueshme, bindëse dhe të besueshme. Përgjegjësia e individëve nuk duhet interpretuar si fajësim kolektiv për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe luftën e drejtë të popullit të Kosovës për çlirim dhe të mbështetur nga bota demokratike. Për Drenasin, si pjesë e trevës së Drenicës, ruajtja e këtij dallimi ka rëndësi të veçantë.
3. Kuvendi njeh vuajtjet e viktimave civile dhe familjeve të tyre, si dhe të drejtën e tyre për dinjitet dhe drejtësi. Mospajtimi me aktgjykimin nuk e mohon nevojën që krimet e provuara me fakte të trajtohen me objektivitet.
4. Në aktgjykimin e shkallës së parë, dënimet nga 13 deri në 25 vjet burgim, Kuvendi e vlerëson të domosdoshëm, dhe vlerëson se ky vendim duhet të shqyrtohet dhe të korrigjohet përmes mjeteve juridike që ligji ua njeh palëve. Çdo shqyrtim duhet të jetë i pavarur, i paanshëm dhe ekskluzivisht mbi faktet e pakontestueshme.
5. Kuvendi shpreh solidaritet me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, Pjetër Shalës dhe Salih Mustafës, njëherësh u bën thirrje qytetarëve të Drenasit që qëndrimet e tyre t’i shprehin me qetësi dhe në mënyrë paqësore e institucionale.
6. Kuvendi inkurajon institucionet e nivelit qendror për unitet në trajtimin e kësaj çështjeje, kërkon koordinim të veprimeve ndër-institucionale në drejtim të konstatimit të së vërtetës, dhe ky proces të trajtohet si interes jetik për vendin.
JO NË EMRIN TIM!
https://www.facebook.com/share/1DMV9U1wUQ/?mibextid=wwXIfr






