Disa përdorues kanë nisur të spekulojnë se aktorja mund t’i jetë nënshtruar ndërhyrjeve estetike, megjithëse për një gjë të tillë nuk ka asnjë konfirmim nga vetë Johnson.
36-vjeçarja aktualisht po promovon filmin thriller psikologjik “Verity”, ku luan përkrah Anne Hathaway. Gjatë turneut promovues, i cili përfshiu edhe një realizim për revistën Vogue dhe premierën e filmit në Londër, fansat kanë krahasuar fotografitë e saj të fundit me paraqitjet e mëhershme.
Vëmendjen më të madhe e ka tërhequr pamja e fytyrës së aktores, veçanërisht sytë, të cilët në fotografitë e reja disa përdorues i kanë konsideruar ndryshe nga më parë.

Disa prej tyre kanë pretenduar se qepallat e saj duken më të ngritura në krahasim me fotografitë e vjetra.
“Duket se nuk i ngjan më vetes”, shkroi një përdorues në rrjetin social X.
“Pse dikush që tashmë është e bukur do të dëshironte të bëhej e panjohshme?”, komentoi një tjetër.
Të tjerë kanë shkruar se Johnson “nuk duket aspak si në fillimet e karrierës”, ndërsa një pjesë e komentuesve kanë shprehur hapur mendimin se pamja e saj ka ndryshuar ndjeshëm.
Disa fansa e kanë krahasuar gjithashtu pamjen e saj me atë të babait, aktorit Don Johnson, i njohur veçanërisht për rolin në serialin “Miami Vice”.
Megjithatë, jo të gjithë i janë bashkuar këtyre spekulimeve. Disa përdorues kanë theksuar se ndryshimi në pamje mund të jetë rezultat i grimit, modelit të flokëve apo këndit të fotografimit.

“Dakota Johnson vetëm ka shkurtuar balluket dhe menjëherë nisën spekulimet për ndërhyrje plastike”, shkroi një përdorues.
Një pjesë e komentuesve kanë shkuar më tej, duke spekuluar se aktorja mund të ketë kryer blefaroplastikë të sipërme, një ndërhyrje kirurgjikale që përfshin heqjen e lëkurës së tepërt nga qepallat.
Megjithatë, këto mbeten vetëm pretendime të përdoruesve në rrjetet sociale dhe nuk janë konfirmuar nga Dakota Johnson apo përfaqësuesit e saj.
Ndërkohë, jeta private e aktores vazhdon të tërheqë vëmendje. Johnson ishte për gjashtë vite në lidhje me frontmenin e Coldplay, Chris Martin, ndërsa së fundmi është përfolur për një afërsi me këngëtarin Machine Gun Kelly.
Në një intervistë të fundit për Vogue, kur u pyet për faktin se shpesh është e rrethuar nga muzikantë, Johnson u përgjigj me humor: “Më pëlqejnë ata. Nuk di çfarë të them. Edhe atyre u pëlqej unë”.

Kur u pyet se çfarë nuk është ideale te muzikantët, aktorja tha duke qeshur se “ka shumë gjëra”, duke i cilësuar ata si persona “kompleksë”.
Spekulimet për një romancë të mundshme mes Johnson dhe Machine Gun Kelly u shtuan pasi dyshja u pa duke dalë nga e njëjta makinë dhe duke hyrë në apartamentin e Taylor Swift në New York.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, Kelly, emri i vërtetë i të cilit është Colson Baker, dyshohet se e ka njohur Johnson në korrik të këtij viti, në dasmën e Taylor Swift dhe Travis Kelce. /Telegrafi/






