Në pritje të çlirimtarëve – Rrëfimi i bashkëluftëtarit të Hashim Thaçit, Shukri Buja

- Advertisement -

Ishin të pandashëm që nga ditët e para të luftës.

Ish-komandanti i Zonës së Nerodimes, Shukri Buja ishte krah për krahë me udhëheqësin politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi.

Bashkëpunimi me Thaçin vazhdoi edhe pas luftës, si pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës e më pas edhe në Presidencë.

Emocionet dy ditë para vendimit nga specialja për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, Buja thotë se janë të mëdha.

Ai shprehet optimist se të njëjtit do të lirohen nga të gjitha akuzat dhe do të kthehen në Kosovë.

“Sepse ne bëmë luftën çlirimtare dhe se nuk kemi bërë krime, po i shihni sa krime janë bërë nga Serbia dhe nuk ndiqen ndërsa ndiqen çlirimtarët, njerëzit të cilët janë simbole të luftës çlirimtare, janë simbole të lirisë dhe shtet ndërtimit dhe besojmë se do ti kemi më 16 shtator në Kosovë ku shpresojmë të riaktivizohen”, ka deklaruar ish-komandanti i Zonës së Nerodimes Shukri Buja.

Ish-komandanti i UÇK-së që vet dëshmoi në Dhomat e Specializuara në Hagë, thotë se nuk u provua asnjëherë se ata kanë kryer krime.

“Ky proces, unë në fillim e kam quajtë politik, të njëanshëm dhe të dëmshëm për Kosovën që çdo ditë e më shumë po verifikohet. Por se është politik ka marrë vendim për formimin e një institucioni të tillë apo ndjekjen Këshilli i Evropës që është po ashtu politik, pastaj është bërë bukur shumë presion që të votohet në Parlamentin e Kosovës dhe se është i një anshëm fillimisht na është thënë dhe është mendu të na mashtrojnë se do të ndiqen të gjitha krimet në Kosovë, në fakt janë ndjekë vetëm njerëzit e UÇK-së pa bazë për krime”, tha tutje ish-komandanti i Zonës së Nerodimes, Shukri Buja.

Sipas tij, pas lirimit katërshja drejtuese e UÇK-së duhet të priten si heronj.

“Që nga vendi ku zbresin ata deri në Prishtinë do të jetë plotë qytetarë e mos të flasim në Prishtinë, kemi në të kaluarën edhe personalitete që janë liruar nga Haga, sesi janë pritë po e marr shembull Fatmir Limaj është mbushë Prishtina. Unë besoj se momentin kur ata lirohen jo vetëm Prishtina por do të mbushen të gjitha rrugët e Kosovës, gjithë qytetarët do ta presin me ndjenjën e lirimit të tyre dhe pastërtisë së luftës çlirimtare”, theksoj ish-komandanti i Zonës së Nerodimes, Shukri Buja.

Mbrëmë, pak kohë para aktgjykimit, Buja takoi disa nga ish bashkëluftëtarët, komandantë në zona të ndryshme të UÇK-së.

Të ngjashme

Të fundit