23.9 C
New York
Tuesday, April 29, 2025

Buy now

Në Gjakovë 1 bukë 70 centë, sot në Prishtinë u bë 60 centë

- Advertisement -

Pas Gjakovës ku çmimi i bukës është bërë 70 centë edhe në disa furra në Prishtinë nga 50 centë çmimi për një bukë është ngritur në 60 centë, ndërsa byreku po kushton 1.50 centë. Barrën e shtrenjtimit të rrymës, që ende as nuk është në fuqi, po e paguajnë qytetarët ndërsa nga institucionet nuk u tha se kanë një plan për zbutjen e kësaj situate.

Nëse diçka funksionon në mënyrë perfekte në Kosovë dhe bëhet shpejt, është ngritja e çmimeve.

A bëhet ngritja e çmimeve në mënyrë të organizuar a jo këtë duhet të vërtetojnë institucionet përkatëse. Ngritjen e çmimit të bukës nga e premtja e ka nisur Gjakova, nga 60 centë buka është shtrenjtuar për 10 centë, pra 70 centë.

Karvani i shtrenjtimit të çmimit të bukës ka arritur edhe në disa furra në Kryeqytet. Në disa prej tyre, një bukë sot është shitur 60 centë, ndërsa një byreku kushton 1.50 centë.

Shtrenjtimi i çmimit të rrymës është faktori kryesor, dhe kjo na u konfirmua nga pronarët e furrave të cilët nuk deshën të identifikohen.

Për barrën me të cilën po përballen qytetarët, TV Dukagjini tentoi të sigurojë një përgjigje nga Shefja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, por pa sukses.

“Sot është dita e pronësisë intelektuale, prita që po më pyet për ditën e pronësinë intelektuale….”, deklaroi Rozeta Hajdari – Ministre në detyrë.

Pas kësaj nga kabineti i Hajdarit na u kërkua që të dërgojmë pyetje me shkrim në adresë të kësaj ministrie, por që deri në publikimin e kësaj kronikë nuk dhanë përgjigje.

Që institucionet nuk janë në hap me ngritjen e çmimeve e dëshmon edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

“…Autoriteti është duke monitoruar me kujdes zhvillimet në sektorin e prodhimit të bukës. Aktualisht, jemi në fazën e mbledhjes së informatave, me qëllim të vlerësimit nëse rritjet e çmimeve janë rezultat i: faktorëve të ndryshëm ekonomikë (rritje kostosh prodhimi, çmime më të larta të energjisë, lëndës së parë etj.), apo ndonjë praktike të ndaluar, si marrëveshje të bashkërenduara ndërmjet ndërmarrjeve konkurrente për rritjen e çmimeve (e ndaluar sipas nenit 5 të ligjit për konkurrencën]”, thuhet nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

Edhe për çmimin e bukës por edhe të kafes nëpër kafene Autoritet i Konkurrencës thotë se është në proces të grumbullimit të informacioneve, inspektimeve e nëse lind nevoja edhe të hetimeve për të gjetur shkeljet e mundshme.

Përkundër interesimit, nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës nuk u shprehën të gatshëm të flasin për prodhimin e grurit e miellit si dhe ndikimin që vërtetë ka tek furrtarët shtrenjtimi i rrymës që përcillet nga ta si furnizues.

Të ngjashme

Të fundit