Kai Ambos, një prej gjyqtarëve të Apelit, ka kritikuar prej vitesh përdorimin e gjerë të NPK-së, duke insistuar se pozita në një organizatë nuk mund ta zëvendësojë provën për fajin individual
Kai Ambos është një prej gjyqtarëve që do të jetë pjesë e Panelit të Apelit në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ai e njeh prej vitesh këtë dosje, pasi ka qenë pjesë e disa vendimeve të ndërmjetme të Apelit gjatë procesit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Por shumë kohë para se të bëhej gjyqtar i Dhomave të Specializuara, ai kishte shkruar për një prej çështjeve juridike që sot është në zemër të procesit ndaj tyre, ndërmarrjen e përbashkët kriminale, të njohur me shkurtesën NPK.
Ambos e kishte quajtur Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale (Joint Criminal Enterprise), një “armë magjike” të Prokurorisë në proceset për krime ndërkombëtare.
Në një punim të vitit 2007, gjyqtari gjerman paralajmëronte se kjo doktrinë mund të krijojë probleme serioze me disa prej parimeve themelore të së drejtës penale. Shqetësimi i tij ishte se një person nuk duhet të mbahet përgjegjës vetëm për shkak të pozitës që ka brenda një organizate. Duhet të provohet sjellja dhe kontributi i tij personal.
Pothuajse 20 vjet më vonë, ky shkrim merr një rëndësi të veçantë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Katër ish-krerët e UÇK-së janë dënuar në shkallën e parë mbi një konstruksion juridik ku ndërmarrja e përbashkët kriminale ka rol qendror. Pikërisht mënyra se si përgjegjësia individuale lidhet me një qëllim të përbashkët pritet të jetë një prej çështjeve të rëndësishme edhe në fazën e Apelit.
Por këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm. Qëllimi politik i UÇK-së ishte pavarësia e Kosovës. Edhe Departamenti amerikan i Shtetit, në përshkrimin historik të konfliktit, e ka përcaktuar “qëllimin kryesor” të UÇK-së si sigurimin e pavarësisë së Kosovës.
Ky qëllim politik nuk është i njëjtë me atë që gjykata e ka quajtur “qëllim të përbashkët kriminal”. Në aktgjykimin e shkallës së parë, Trupi Gjykues ka thënë se katër të akuzuarit kontribuuan në një qëllim kriminal për shënjestrimin e personave të perceptuar si kundërshtarë të qëllimeve politike dhe ushtarake të UÇK-së. Pra, edhe vetë formulimi i gjykatës bën dallim mes qëllimeve politike dhe ushtarake të UÇK-së dhe qëllimit kriminal që ajo thotë se ka ekzistuar paralelisht.
Pikërisht ky dallim mund të marrë rëndësi kur shqyrtohet përgjegjësia individuale. Të qenit pjesë e udhëheqjes së një organizate që synonte pavarësinë e Kosovës nuk provon, në vetvete, pjesëmarrjen në një qëllim kriminal. Për këtë të fundit duhet të provohet lidhja personale e secilit të akuzuar me qëllimin kriminal që ka konstatuar gjykata.
Ambos e ka trajtuar këtë problem shumë përpara se të krijoheshin Dhomat e Specializuara.
Në shkrimin e tij “Ndërmarrja e përbashkët kriminale dhe përgjegjësia komanduese”, ai pranon se krimet ndërkombëtare shpesh kryhen nga grupe dhe struktura të organizuara. Për këtë arsye, drejtësia duhet të ketë mënyra për të përcaktuar përgjegjësinë edhe të personave që nuk e kanë kryer vetë fizikisht një krim.
Por për Ambos, kjo nuk mund të bëhet duke dobësuar parimin e përgjegjësisë individuale.
Një prej fjalive kyçe të studimit të tij është se në qendër duhet të jetë “sjellja personale” e të akuzuarit, jo vetëm “roli, funksioni apo pozita” e tij brenda një organizate.
Pra, pozita e lartë nuk është vetvetiu provë e fajësisë.
Ambos argumenton se përgjegjësia penale duhet të lidhet me atë që një person konkret ka bërë, me kontributin që ka dhënë dhe me gjendjen e tij mendore në raport me krimin.
Ky dallim është veçanërisht relevant për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin.
Në procesin ndaj tyre, pozitat që kanë mbajtur në UÇK, roli politik dhe ushtarak dhe marrëdhëniet me strukturat e saj kanë qenë pjesë e argumentimit të Prokurorisë dhe e përfundimeve të shkallës së parë.
Por lexuar përmes asaj që Ambos ka shkruar, pyetja bëhet më konkrete. A është provuar për secilin prej tyre kontributi individual në krimet për të cilat është shpallur përgjegjës?
Kjo është shumë afër shqetësimit që Ambos ngrinte në vitin 2007.
Ai nuk e kundërshton të gjithë doktrinën e ndërmarrjes së përbashkët kriminale.
Për formën bazë, ku disa persona ndajnë një qëllim kriminal dhe veprojnë për realizimin e tij, Ambos pranon se përgjegjësia mund të trajtohet si bashkëkryerje.
Por ai është shumë më kritik kur përgjegjësia zgjerohet përtej asaj që personi ka synuar ose kryer vetë.
Veçanërisht problematike për të është forma ku një person mund të mbahet përgjegjës edhe për krime që nuk kanë qenë pjesë e planit fillestar, nëse ato konsiderohen pasoja të parashikueshme të realizimit të atij plani.
Ai shkruan se “parashikueshmëria” nuk është as mjaftueshëm e saktë dhe as mjaftueshëm e besueshme për t’u përdorur lehtë si bazë e përgjegjësisë penale.
Madje përdor një formulim ironik. Nëse përgjegjësia ndërtohet mbi parashikueshmërinë në këtë mënyrë, atëherë edhe vetë dënueshmëria e të akuzuarit bëhet e paparashikueshme.
Sipas tij, kjo mund ta afrojë doktrinën me një formë të përgjegjësisë automatike, ku një person përfundon duke mbajtur përgjegjësi për veprimet e të tjerëve pa u provuar mjaftueshëm lidhja e tij personale me ato krime.
Ai vetë shpjegon se një doktrinë e tillë është tërheqëse për Prokurorinë sepse mund ta ndihmojë të kapërcejë një prej problemeve më të mëdha në proceset ndërkombëtare, mungesën e provave për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të një udhëheqësi në një krim konkret.
Por ajo që e lehtëson punën e Prokurorisë, sipas Ambos, mund të shndërrohet në problem për të akuzuarin.
Kur mungon prova se personi e ka kryer vetë krimin, rreziku është që lidhja me grupin, pozita në strukturë dhe parashikueshmëria e veprimeve të të tjerëve të marrin një peshë shumë të madhe.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi nuk janë dënuar sepse është konstatuar se personalisht kanë kryer krim për të cilin u gjetën përgjegjës.
Përgjegjësia është ndërtuar mbi rolin që, sipas gjykatës, ata kanë pasur në qëllimin e përbashkët dhe mbi kontributin që kanë dhënë në realizimin e tij.
Kjo e zhvendos betejën juridike te një pyetje themelore. Sa i fortë duhet të jetë kontributi personal që një njeri të mbajë përgjegjësi penale edhe për krimet e kryera nga të tjerët?
Ambos ka shkruar pikërisht për këtë kufi.
Në një pjesë tjetër të punimit, ai kritikon ashpër edhe mënyrën se si Tribunali për ish-Jugosllavinë kishte zhvilluar disa pjesë të jurisprudencës për NPK-në.
Ai shkruante se një interpretim i caktuar tregonte “injorim flagrant të parimeve bazë të së drejtës penale”. Ambos shkruante se edhe mbështetësit parimorë të tribunaleve ndërkombëtare, siç e konsideronte veten, detyroheshin të rishikonin mbështetjen e tyre.
Sipas Ambos, disa nga format e zgjeruara të NPK-së nuk kanë një bazë të qartë në të drejtën penale ndërkombëtare të shkruar.
Ai argumentonte se zgjerimi i përgjegjësisë penale përmes interpretimit mund të cenojë parimin bazë se ligji penal duhet të jetë i qartë dhe i parashikueshëm.
Ambos ka një histori të gjatë skepticizmi ndaj përdorimit tepër të gjerë të kësaj doktrine.
Madje, punimi i tij ishte përdorur më vonë edhe nga mbrojtja e Jakup Krasniqit në materialet juridike me të cilat kundërshtohej ligjshmëria e përdorimit të NPK-së.
Pra, një prej autorëve akademikë të cituar nga mbrojtja e Krasniqit është vetë Kai Ambos.
Ambos e njeh edhe drejtpërdrejt çështjen e Hashim Thaçit.
Në vitin 2021, ai ishte pjesë e Panelit të Apelit që shqyrtoi një nga kërkesat e Thaçit për lirim të përkohshëm.
Ai u pajtua me rezultatin përfundimtar, por shkroi një mendim të veçantë.
Në të, kritikoi mënyrën se si shkalla e parë kishte arsyetuar disa prej çështjeve kryesore. Për disa pjesë të vendimit, Ambos tha se arsyetimi ishte befasueshëm i shkurtër.
Ai argumentonte se nuk duhet t’i takojë Apelit të kërkojë vetë nëpër prova për të kuptuar se si shkalla e parë ka arritur deri te një përfundim.
Ambos ngriti edhe problemin e paraburgimeve të gjata në drejtësinë ndërkombëtare.
Në një formulim të fortë, ai e cilësoi praktikën e paraburgimeve të tejzgjatura si të mjerueshme.
Ai argumentoi gjithashtu se, nëse një shtet i tretë ofron garanci konkrete për ta pranuar dhe mbikëqyrur një të akuzuar, kjo mund të bëhet një faktor shumë i rëndësishëm, madje potencialisht vendimtar, në favor të lirimit me kushte.
Këto qëndrime nuk e bëjnë Ambos gjyqtar të “mbrojtjes”. Ai ka qenë pjesë e paneleve që kanë pranuar fajësinë e Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës për krime lufte.
Ambos është profesor i së drejtës penale ndërkombëtare dhe ka punuar edhe si avokat mbrojtës në procese ndërkombëtare. Ai ka qenë pjesë e ekipeve mbrojtëse në Tribunalin për ish-Jugosllavinë dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Por për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin, më e rëndësishme se biografia e tij është ajo që ka shkruar.
Pothuajse dy dekada më parë, Ambos paralajmëronte se përpjekja për të ndëshkuar kriminalitetin kolektiv nuk duhet të çojë në dobësimin e përgjegjësisë individuale.
Ai kërkonte që në qendër të mbetet personi konkret.
Çfarë ka bërë.
Çfarë ka synuar.
Çfarë ka ditur.
Dhe çfarë kontributi ka dhënë realisht në krim.
Nëse Apeli do të përballet me pyetjen se sa mjafton pozita e një udhëheqësi dhe sa duhet të provohet sjellja e tij personale, shkrimet e Kai Ambos marrin një peshë të veçantë.
Sepse shumë vite para rastit të ish-krerëve, ai e kishte formuluar tashmë vijën që drejtësia penale nuk duhet ta kalojë. Pozita në organizatë nuk mund ta zëvendësojë provën për fajin individual./albanianpost.com
#politikë






