Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar sot përgatitjet për ndeshjen e radhës kundër Izraelit, që zhvillohet të enjten në Hungari.
Në stërvitjen e sotme, përzgjedhësi Franco Foda ka punuar me të gjithë lojtarët që ka në dispozicion, ndërsa Arijanet Muric, për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen kundër Austrisë në Vjenë, ka zhvilluar vetëm stërvitje të lehtë nën përkujdesjen e trajnerit atletik.
Pas stërvitjes për kanalin e FFK-së ka folur edhe prurja më e re e kombëtares, Milot Avdyli.
Ai theksoi se kombëtarja është duke u përgatitur mirë për këtë duel dhe beson tek fitorja.
“Stërvitja ka shkuar shumë mirë. Tash jemi kompletuar të gjithë lojtarët edhe ata që kanë pasur më shumë minuta. Jemi duke u përgatitur për duelin dhe besoj që do ta japim maksimumin.”
“Është kundërshtar i vështirë, por me kualitetin që ne e kemi besoj që kemi me arrit rezultat pozitiv. Tani është momenti i duhur të rikthehemi tek fitorja dhe besoj që bashkë do t’ia dalim”, deklaroi Avdyli.
Në ndeshjen me Austrinë, Miloti u aktivizua për 45 minuta.
Takimi me Izraelin luhet të enjten mbrëma me fillim nga ora 20:45.






